Maqedonia e Veriut i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe nga nesër do të integrohet plotësisht ushtarakisht në NATO, tha ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska.


Ajo në konferencën e sotme për media tha se me konferencën finale integruese të Maqedonisë së Veriut dhe NATO-s ka përfunduar “periudha e provës” për anëtarësimin e vendit në aleancë.

Me këtë konferencë dhe nënshkrimin e nesërm të deklaratës, Maqedonia e Veriut, siç theksoi ajo, “me një fjalë përfundon integrimin ushtarak në NATO dhe bëhet anëtare e barabartë në të gjitha pjesët ushtarake të Aleancës”.

“Kemi treguar se i përmbushim objektivat e vendosura dhe se i japim rezultatet e pritura edhe në kushtet e një agjende shumë ambicioze. Kjo disi përfundon “periudhën tonë të provës” në NATO. Ne i kemi plotësuar kushtet për integrim ushtarak dhe për të vazhduar me të ashtuquajturin planifikim të përbashkët të NATO-s,” tha Sheqerinska.

Procesi i integrimit ushtarak të Maqedonisë në NATO filloi dy vjet e gjysmë më parë kur u ftua për anëtarësim.

Në mars të vitit 2020, Maqedonia u bë anëtare e plotë e asaj aleance ushtarako-politike.

Sipas Sheqerinska, zhvillimi i Ushtrisë vazhdon dhe janë planifikuar 22 projekte, disa prej të cilave janë përfunduar, disa janë filluar dhe disa do të realizohen deri në vitin 2028.