Misioni ruso-hungarez në Maqedoni për destabilizim?

Ngjarjet e fundit politike e kanë vendosur Maqedoninë e Veriut në pikëpyetje ardhmërinë euro-atlantike të vendit pasi kryetari i opozitës maqedonase, Hristijan Mickovski paralajmëroi shumicë të re parlamentare së bashku me ASH-AAA, Lëvizjen BESA si dhe me partinë kontroverse me qëndrime anti-amerikane, anti-europiane dhe anti-shqiptare, Levica, raporton TetovaSot.


Prania e Dimitar Apasievit të Levicës në një përbërje të shumicës së mundshme të re parlamentare e vëndos të ardhmen europiane të Maqedonisë së Veriut në pikëpyetje dhe i hap rrugën misionit ruso-hungarez në Maqedoninë e veriut për shtrirje të ndikimit të tyre duke destabilizuar vendin.

Në lidhje me këtë koalicon kanë reaguar shumë pjesëtarë të politikbërjes, analistët si dhe qytetarët të cilët këtë shumicë e cilësojnë shumë të dëmshme.

Kundër kësaj shumice të re ka reaguar ashpër edhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim i cili sot para mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të BDI-së u shpreh kategorik se nuk bisedon me asnjë palë e cila ka vizion anti-amerikan, vizion anti-europian dhe vizion anti-shqiptar.

Ndërkaq, Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të këtij subjekti politik i porositi qytetarët që të jenë të qetë sepse Ali Ahmeti do të ruajë sigurinë në vend.

“Tash duhet të përcaktohet kursi i të ardhmes së këtij vendi. Tani është me rëndësi që të mirret një vendim që do ta kthejë stabilitetin në vend. Vendi është para një mundësi serioze për bisedime, BDI është këtu që në këto lojëra politike gjithmonë di të ruajë interesin e shtetit. Qytetarët të jenë të qetë sepse Ali Ahmeti do ta ruaj sigurinë në vend. Ali Ahmeti do të takohet me të gjithë përveç atyre që janë kundër shqiptarëve”, u shpreh kështu Osmani./TetovaSot