Ministri i Punëve të Brendshme të Bullgarisë, Bojko Rashkov, është deklaruar për media pas aksidentit tragjik, ku mbetën të vdekur 45 persona.


Ai para mediave tha se s’ka parë kurrë diçka të tillë dhe se pamja është e tmerrshme.

“Pamja është e tmerrshme dhe jo të gjithë mund ta durojnë atë. Nuk është për t’u parë. Unë kurrë nuk kam parë diçka të tillë më parë. … ne nuk mund t’ju themi sa janë apo kush janë…”, ka thënë Rashkov, raporton Dnevnik.

Për aksidentin tragjik ka njoftuar edhe Ministria e Punëve të Brendshme të Bullgarisë.

Sipas raportimeve të mediave bullgare, autobusi ishte me pasagjerë nga Maqedonia e Veriut.

“Denoncimi për një aksident të rëndë trafiku është bërë pak pas orës 2 të mëngjesit të sotëm. Sipas të dhënave fillestare nga autostrada e Strumës, rreth 31 km është aksidentuar një autobus i regjistruar në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën 45 persona. Në vendngjarje kanë shkuar me kohë ekipet e policisë, zjarrfikëses dhe ambulanca. Si rezultat i veprimeve të tyre të shpejta, shtatë persona janë transportuar në spital për mjekim. Po kryhet një inspektim. Qarkullimi është ndërprerë në të dy drejtimet. Një organizim i përkohshëm për lëvizje përmes p.v. Dolna Dikanya dhe p.v. Daskalovo”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev, zëvendëskryeministri Bujar Osmani dhe ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe tashmë po udhëtojnë për në Bullgari, konfirmoi agjencia shtetërore maqedonase e lajmeve MIA.