Merkel: Çmimi mbi karbonin, mjet efikas për një energji të pastër

Kancelarja gjermane në largim, Angela Merkel mbështeti çmimin mbi karbonin si një mjet efikas për të luftuar ndryshimet klimatike, gjatë fjalimit të saj sot në samitin kyç të OKB-së për klimën.

“Bashkimi Evropian ka tashmë këtë lloj modeli çmimi për sektorin industrial. Të tjerët, për shembull Kina, po e prezantojnë këtë tani”, tha Merkel për politikën e ndjekur, që vendos një taksë mbi emetimet e dyoksidit të karbonit, në një përpjekje për të nxitur investimet në energjinë e pastër.

“Pasi dyoksidi i karbonit të ketë një çmim, investitorët e kapitalit privat mund të dinë, gjithashtu, se në cilin drejtim të investojnë teknologjikisht”, shpjegoi Merkel, duke shtuar se është e rëndësishme të përdoren jo vetëm paratë e taksapaguesve në luftën kundër ngrohjes globale, por edhe instrumente që kanë “kuptim ekonomik”.

Në përgjithësi, nevojitet një sasi e madhe investimi për të përmbushur objektivat globale të klimës.

Udhëheqësja gjermane iu referua një vlerësimi të ish-sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, sipas të cilit zbutja e ndryshimeve klimatike globale do të kërkojë financim vjetor prej 800 miliardë dollarësh.