“Si pasardhës i Heroit Kombëtar, Isa Boletini, gjatë gjithë jetës, veprimtarisë dhe karrierës sime, kudo që më dërgoi fati i jetës, frymova me amanetin e tij”.


Kështu ka nisur urimin e tij për festat e Nëntorit ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj në një postim në Facebook.

Mehajt shkruan se Flamuri kombëtar është Identiteti i popullit shqiptarë dhe historia e lavdishme mijëvjeçare, shkruan arbresh.info

“Sot kujtojmë e nderojmë Flamurin e Krujës së Gjergj Kastriotit, Prizrenit të Ymer Prizrenit, Vlorës së Ismail Qemalit, Prishtinës, Mitrovicës, Pejës e Shkupit të Hasan Prishtinës, Isa Boletinit, Haxhi Zekës e Idriz Seferit, si dhe Prekazit Legjendar të Adem Jasharit. Duke, kujtuar e nderuar historinë tonë të dhimbshme dhe krenare, mundin, gjakun e djersën e derdhur të paraardhësve tanë, do të marshojmë sigurt drejtë së ardhmes sonë”, thotë Mehaj.

Ndryshe, 28 nëntori shënon 109 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe njihet si festa e Ditës së Flamurit. Po ashtu në këtë datë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës bëri daljen e parë në skenë , pikërisht më 28 nëntor të vitit 1997, në fshatin Llaushë të Skenderajt, si dhe kjo datë shënon ditëlindjen e komandantit legjendar, Adem Jashari.

Postimi i plotë:

Si pasardhës i Heroit Kombëtar, Isa Boletini, gjatë gjithë jetës, veprimtarisë dhe karrierës sime, kudo që më dërgoi fati i jetës, frymova me amanetin e tij.
Flamuri kombëtar është Identiteti ynë shqiptar dhe historia jonë e lavdishme mijëvjeçare.
Sot kujtojmë e nderojmë Flamurin e Krujës së Gjergj Kastriotit, Prizrenit të Ymer Prizrenit, Vlorës së Ismail Qemalit, Prishtinës, Mitrovicës, Pejës e Shkupit të Hasan Prishtinës, Isa Boletinit, Haxhi Zekës e Idriz Seferit, si dhe Prekazit Legjendar të Adem Jasharit.
Duke, kujtuar e nderuar historinë tonë të dhimbshme dhe krenare, mundin, gjakun e djersën e derdhur të paraardhësve tanë, do të marshojmë sigurtë drejtë së ardhmes sonë.
Të ardhmes sonë të natyrshme, përkrahë kombit mik amerikan dhe kombeve tjera me orientim euroatlantik.
Gëzuar bashkëkombës anembanë Botës kudo që jeni!
Me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë pata deklaruar:
” Unë jam nga Kosova dhe dashurinë për vendlindjen, për Shqipërinë dhe kombin tim shqiptar e kam të shenjtë. Unë i përulem me shpirt e zemër Flamurit Kombëtar”.
Gëzuar Ditën e Flamurit Kombëtar, Ditëlindjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Daljes Publike të Ushtrisë së Lavdishme Çlirimtare të Kosovës!
Festofshim gjithmonë së bashku me këngën:
” Rritu Ushtria jonë”