“Makina inteligjente” gjobit 7 mijë automjete për një muaj në Shqipëri

Prej rreth një muaji, në rrugët e Shqipërisë policia rrugore ka nisur aplikimin e makinës inteligjente e cila evidenton shkeljet nga ana e drejtuesve të automjeteve.


Euronews Albania ditën e sotme ndoqi nga afër një pjesë të punës së kësaj makine ku në të paktën 15 minuta u evidentuan rreth 60 shkelje.

Prej 3 tetorit kur nisi dhe aplikimi i kësaj pajisjeje nga ana e policisë rrugore janë vendosur 7 mijë gjoba nga të cilat mbi 80% e tyre për tejkalim shpejtësie.

“Kjo është një pajisje radar, e prodhuar në vitin 2020 dhe shërben për matjen e shpejtësisë. Ajo konstaton mos vendosjen e rripit të sigurisë dhe përdorimin e aparatit celular. Arrin të kapë deri në 6 korsi njëherësh dhe transferon në serverat e policisë”, tha Luan Lami, shefi i njësisë operacionale, në policinë rrugore.

Po ku është e pozicionuar kjo makinë dhe si njoftohen qytetarët pasi gjobiten?

“Kjo pajisje vendoset 24 orë në 24, në gjithë territorin e Shqipërisë, kryesisht në ato vende që janë njolla të zeza për policinë rrugore. Disa mënyra për t’u njoftuar qytetari janë nëpërmjet specialistit të zonës apo nëpërmjet postës shqiptare; duke u futur vet te e-Albania nëpërmjet numrit të shasisë dhe targës; dhe duke pyetur nëpër zyrat e pagesës të procesverbaleve të konstatimit të shkeljes”, shpjegon Lami.

Ndonëse është makinë inteligjente, zoti Lami thotë se për çdo shkelje drejtuesi i mjetit ka mundësinë e ankimimit të gjobës.

“Të gjithë ata drejtues mjeti që do të kenë probleme me procesverbalin e konstatimit të shkeljes, me një kërkesë mund t’i drejtohen policisë rrugore për shqyrtimin e kësaj kërkese apo ankese”, tha Lami.

Kjo pajisje që ka nisur të aplikohet nga policia rrugore përdoret edhe në shumë vende të tjera të Bashkimit Evropian.

Kjo makinë ka si qëllim shkëputjen e kontaktit mes punonjësve të policisë dhe shoferëve në shkelje.