Ish-Presidenti Bamir Topi zbuloi mbrëmjen e sotme se marrëdhënia e tij me ish-Kryeministrin Sali Berisha tanimë është inekzistente, dhe se data që i ka ndarë rrugët e tyre është 21 janari 2011.


“Edhe marrëdhëniet zyrtare kanë qenë të kontrolluara, për shkak të përplasjes së fortë”, tha ai, duke u shprehur se asnjëherë nuk e kishte menduar që në politikë për shkak të një ngjarje gjërat mund të ndaheshin në atë mënyrë.

Bamiri tha se data 21 janar nuk ka një protagonist por disa, “Ishin ata që e ideuan, ata që e organizuan, ata që reaguan, dhe paradoksi më i madh ishte se ata që nuk ishin farë pjesë e këtyre grupeve u sulmuan”, tha ai, teksa shtoi se “Sado që është politikë, disa gjëra thyhen për mos t’u ngjitur më”.

Sa i takon Lulzim Bashës dhe përplasjes së tij me Berishën, Topi deklaroi se Basha është shumë larg Berishës.

“Basha duket se po ruan vulën dhe një vendim e gjykate, por partia nuk është një vendim gjykate. Gabimi i Bashës është se nuk doli që në momentin e parë, dhe në këtë mënyrë hap pas hapi e dizenjoi fundin e vet politik”, tha Topi ne News24.

Bamir Topi sqaroi se kuvendi që do të mblidhet më datë 11 dhjetor nuk do të jetë për të përjashtuar Bashën, por për të ristrukturuar rregullat statutore. “Bëhet pjesa që nuk do të prek individualisht Bashën e më pas do të futet në proces”, tha ai duke shtuar se Basha është në një distancë të madhe nga Berisha.