Kulaçi në 4 pjesë, që të formohet shumica në Tetovë!

Nesër 31 këshilltarët komunal në Tetovë do të marrin certifikatat. Ajo që dihet deri më tani është se për ta pasur shumicën prej 16 këshilltarëve, kryetari i ri Bilall Kasami duhet të bëjë koalicion me 4 parti politike.

BDI – 10 këshilltarë

L. Besa – 8 këshilltarë

VMRO-DPMNE – 5 këshilltarë

ASH/AA – 3 këshilltarë

PDSH – 2 këshilltarë

LSDM – 2 këshilltarë

“Më mirë për Tetovën” – 2 këshilltarë

Në “Click Plus” Kasami tha se shumicën në Këshill pret ta arrijë me ata që e përkrahën në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

“Për momentin nuk kemi formalizuar ndonjë shumicë po sipas asaj që na kanë përkrahur, na ka përkrahur Aleanca për Shqiptarët, na ka përkrahur lista e pavarur edhe na ka përkrahur në mënyrë të hapur edhe VMRO-ja”, tha Bilall Kasami – kryetar i Lëvizjes Besa.

Kreu i ri i Tetovës thotë se nuk ka ndonjë obligim që ndajë pushtetin me të tjerët, por shton se mund të ketë edhe kuadro të partive tjera që do të emëroheshin në Ndërmarrje apo Drejtori.

“Nuk kam obligim ndaj askujt për të menaxhuar me Tetovën, obligimi im i vetëm është me tetovarët por kjo nuk nënkupton se nesër në krye të një sektori nuk do të jetë ndonjë eksponent i Lëvizjes Besa apo i ndonjë partie tjetër”, u shpreh Kasami.

Televizioni 21 gjatë ditës ka komunikuar me të gjithë këshilltarët e partive dhe listës së pavarur. Nga BDI, LSDM, VMRO-DPMNE dhe PDSH nuk komentuan, duke thënë se akoma është herët dhe se nuk kanë marrë ndonjë ofertë nga Kasami.

Hamdi Sulejmani nga nisma “Më e mira për Tetovën” në një bisedë telefonike shkurt na tha se nuk ka ndonjë marrëveshje me Kasamin për ndarje të pushtetit. E Muzafer Etemi kryetar i degës Aleancës për Shqiptarët në Tetovë thotë se ata do ti përmbahen programit të tyre.

“Mendoj se për opinion është i njohur se është përkrahja që i dhamë në zgjedhje në ciklin e fundit dhe ne si parti do veprojmë konform përcaktimit tonë programor dhe për më tutje si do të zhvillohen punët do jemi të informuar në vazhdimësi”, potencoi Muzafer Etemi nga Aleanca për Shqiptarët.

Gjatë mandatit të Teuta Arifit, shumica në këshillin komunal të Tetovës është përberë nga koalicioni BDI, PDSH dhe LSDM-në. Ndërsa VMRO-DPMNE, ASH dhe Besa kanë qenë opozitë. LSDM ka pasur postin e sekretarit komunal, post të cilin Kasami mbrëmë nuk e mohoi se mund të ia ofrojë VMRO-DPMNE-së.