Ministri federal për çështje evropiane dhe ndërkombëtare të Republikës së Austrisë, Mihail Linhart, sot do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Shkup.


Siç kumtoi Ministria e Punëve të Jashtme, Linhart do të pritet nga nikoqiri i tij shefi i diplomacisë Bujar Osmani me të cilin do të ketë tet-a-tet takim, pas çka do të vijojë takim plenar i dy delegacioneve.

Në fokus të bisedimet pritet të jenë marrëdhëniet e përgjithshme bilaterale politike dhe ekonomike-tregtare, si dhe integrimi evropian i Republikës së Maqedonisë së Veriut, me theks në Samitin e ardhshëm të dhjetorit të Bashkimit Evropian.

Në kuadër të vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut, Linhart përveç takimit me Osmanin do të takohet edhe me lidershipin politik, mes të cilëve presidentin, Stevo Pendarovski; kryeministrin, Zoran Zaev dhe zëvendëskryeministrin e Parë, Artan Grubi.

Përveç delegacionit politik, Linhart do të shoqërohet edhe nga delegacion austriak ekonomik, përkatësisht biznesor, me ç’rast do të realizojë takime edhe me resorët ekonomik të Qeverisë.

Përndryshe, marrëdhëniet diplomatike midis Shkupit dhe Vjenës janë formuar më 23 dhjetor të vitit 1994. Austria është një prej vendeve të BE-së me të cilët Maqedonia e Veriut ka bashkëpunim të frytshëm bilateral dhe dialog intensiv politik dhe paraqet një prej partnerëve më të mëdhenj ekonomik të vendit.

Austria është në vendin e parë në listën e investuesve të huaj në Maqedoninë e Veriut. Në vend funksionojnë rreth 50 kompani me kapital austriak, ndër të cilët janë EVN, Shparkase banka, Soravia, mobilkom Austria, C&T, Tondax dhe Strabat.