Kriza në Maqedoninë e Veriut/ Ali Ahmeti: Nuk negocioj me ata që mohojnë Kosovën dhe gjuhën shqipe

Dorëheqja e Zoran Zaev nga posti i kryeministrit dhe kryetarit të LSDM, e ka futur Maqedoninë e Veriut në vorbullën e një krize politike.

Partitë opozitare VMRO, Aleanca për Shqiptarët, Lëvizja Besa dhe E majta, njoftuan sot se kanë formuar shumicën parlamentare.

Sekretari i Përgjithshëm i ‘Aleanca për Shqiptarët’, Arben Taravari deklaroi se koalicioni i ri ka 61 deputetë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, nga 120 vende.

Nga ana tjetër, ka ardhur reagimi i parë nga partia në pushtet, BDI. Kreu i kësaj force politike, Ali Ahmeti deklaron se ndodhet në negociata dhe bisedime por jo me parti që mohojnë Marrëveshjen e Ohrit, Kosovën apo dhe gjuhën shqipe, thekson ai përmes një postimi në rrjetet sociale.

Reagimi i Ali Ahmetit
Të dashur qytetarë,
Gjendjen e krijuar me dorëheqjen e Kryeministrit jemi duke e menaxhuar nëpërmjet të kontaktit intenziv më të gjitha palët, me përjashtim të atyre që e mohojnë Marrëveshjen e Ohrit, të Prespës, fqinjësisë së mirë, NATOnë, BEnë, Republikën e Kosovës dhe gjuhën shqipe.
Gjithashtu, për zhvillimet aktuale jam në kontakt dhe në koordinim me partnerët tanë strategjik, Shetet e Bashkuara të Amerikës, NATO dhe Bashkimin Europian.
Nuk do të veprojmë as me emocione e as në eufori.
Kam shumë telefonata, porosi dhe përkrahje nga të gjitha anët, ju faleminderit dhe në pamundësi të ju përgjigjem të gjithëve, ju them që bashkë do t’ia dalim.
Për të gjitha zhvillimet do të njoftoheni paraprakisht.
Bashkë përgjithmonë dhe në çdo përballje 🤝