Lideri i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se qytetarët këtë herë e dëshmuan se brenda një periudhe 9 mujore mund të bëjnë përmbysje të mëdha në zgjedhje.


Krasniqi në emisionin ‘Pressing’ në T7 teksa ishte duke folur për rezultatet në këto zgjedhje, tha se këto përmbysje vijnë kur politikanët bëhen arrogantë dhe i harrojnë premtimet.

“Më vjen mirë që ne i kemi fituar zgjedhjet, por e konsideroj para se gjithash si fitore të qytetarëve të Kosovës, para se të jetë fitore e PDK-së, e imja apo e kryetarëve. Qytetarët e kanë dëshmuar se edhe brenda një periudhe 9 mujore, munden me bo përmbysje të mëdha, në momentin kur politikanët bëhen arrogantë, e i harrojnë premtimet, kur ata largohen prej qytetarëve”, tha Krasniqi.

Lideri i PDK-së shtoi se kjo përmbysje duhet të jetë mësim për të gjithë, edhe për opozitën në nivel qendror edhe për VV-në e cila është në pushtet.

“Kjo duhet të jetë mësim për të gjithë, edhe për neve që jemi në opozitë në nivel qendror, edhe për VV-në që është në pushtet, por duhet të jetë mësim edhe për politikën lokale dhe kryetarët e rinj që mos ta marrin sit ë mirëqenë mbështetjen e qytetarëve asnjëherë, sepse ajo ndryshon, varësisht prej qeverisjeve të tyre”.

Ndryshe, PDK-ja në këto zgjedhje i fitoi 8 komuna.