Krasniqi: Humbja ndaj Bosel ishte çasti më i vështirë në jetën time, mezi e mora veten

Haxhi Krasniqi nuk arriti ta mbronte titullin e kampionit të botës në kategorinë gjysmë të rëndë, duke u mposhtur nga Dominic Bosel me vendim të ndarë të gjyqtarëve.


Ai pas meçit deklaroi se ky vendim ishte i padrejtë dhe bëri ankesë në instancat më të larta, pasi mendonte se e kishte fituar atë meç.

Në një intervistë për mediumin gjerman TrendyOne, Krasniqi ka sqaruar shumëçka, teksa e cilësoi humbjen ndaj Bosel si çastin më të vështirë të jetës së tij.

Intervista e plotë, e përkthyer nga Express.

Si i përjetuat ditët pas meçit?

Ishte zhgënjimi më i madh i jetës sime. Ishte tepër e vështirë për mua të rimerrja veten pas meçit.

Sipas deklaratës suaj, mund të kishit fituar vetëm duke u nokautuar! Çfarë mendonit me këtë?

Ishte relativisht e qartë për mua që në fillim se do të gjykohesha kundër. Megjithatë, që një vendim kaq drastik dhe i padrejtë e i gabuar do të merret, më befasoi dhe tronditi. Nëse lufta e parë nuk do të kishte ardhur përmes një nokauti kaq të qartë, ndoshta nuk do të më ishte dhënë fitorja as atëherë.

A do të thoni se e keni humbur besimin në Asociacionin?

Është e qartë se tani nuk mund të flitet më për besim.

A ka ndonjë ndikim kjo luftë në planet tuaja të ardhshme?

Madje, ky vendim skandaloz ka një ndikim shumë të madh: si nga pikëpamja sportive, ashtu edhe nga ajo ekonomike. Ju duhet të imagjinoni se unë punova drejt qëllimit tim në jetë për rreth 15 vjet – në luftën e parë fitova me një nokaut spektakolar … Për të qenë fer i ofrova kundërshtarit tim Dominic revanshin. Në fund, të privohem nga fitorja e merituar, më duket çdo gjë tjetër veçse sportive.

Çfarë doni t’u thoni fansave tuaj, edhe në lidhje me një duel të tretë?

Një duel i tretë ka kuptim vetëm nëse i dyti është zgjidhur – hap pas hapi. Do të isha i hapur edhe për një duel të katërt apo të pestë, për mua nuk ka të bëjë me meçet: gjithmonë jam përballur me çdo kundërshtar dhe do të vazhdoj ta bëj, por së pari duhet krijuar qartësi dhe duhet të ndryshojnë edhe disa gjëra!