Kërkesa për votim për besim të qeverisë. Çfarë thotë neni 92 i kushtetutës?

Kuvendi, të enjten, do të shqyrtojë kërkesën për mocion besimi për Qeverinë. Një ditë para seancës një numër i deputetëve, përfshi edhe ata të të Majtës kanë tërhequr nënshkrimet nga nisma për të evituar kundërshtimin e deputetit të Alternativës Skënder Rexhepi, njoftoi nënkryetari I VMRO DPMNE-së, Aleksandar Nikolloski.Por cilat janë mundësitë ligjore? Konform kushtetutës mocion mosbesimi mund t’i shpallet Qeverisë në çdo kohë, nëse mocionin e besimit e parashtrojnë shumica nga numri i përgjithshëm i deputetëve. Përkatësisht, Neni 92 i kushtetutës thotë:“Mocion i sërishëm për besim të Qeverisë nuk mund të parashtrohet para kalimit të 90 ditëve prej votimit të fundit të mocionit për besim, përveç nëse mocionin e besimit e parashtrojnë shumica nga numri i përgjithshëm i deputetëve.”Meqë për qeverinë aktuale, në tre muajt e fundit, nuk është votuar mocion besimi, por vetëm është dorëzuar një nismë, konform këtij neni të Kushtetutës mund të dorëzohen edhe nisma të tjera. Madje nismë për mocion besimi të Qeverisë mund të dorëzohet edhe po të ishte votuar një mocion besimi brenda tre muajve, por në këtë rast, nismën duhet ta nënshkruajnë së paku 61 deputetë. Po aq vota duhet për të votuar mosbesim për Qeverinë, përkatësisht vendimi merret me shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve. Nëse Qeverisë i është votuar mosbesimi, Qeveria e ka për detyrë të paraqesë dorëheqje.Por, mocioni për besimin e Qeverisë edhe mund të tërhiqet deri në fillim të seancës së Kuvendit, në të cilën do të debatohet për mocionin e besimit të Qeverisë.