Më 12 dhjetor LSDM-ja do të zgjedh kryetarin e ri. Vendimi i organeve të partisë për zgjedhje brenda partiake vjen pas dorëheqjes së Zoran Zaevit nga fronti socialdemokrat. Deri më 3 dhjetor vijon afati i paraqitjes së kandidatëve dhe regjistrimit aktiv të anëtarësisë.

“Pas zgjedhjes së kryetarit të partisë, pason edhe zgjedhja e udhëheqjes së partisë”, deklaroi Bogdanka Kuzeska, Zëdhënëse e LSDM-së.

Emri më i përfolur si pasardhës i Zaevit është Dimitar Kovaçevski, njeriu i cili së fundi duket në çdo takim me kryetarin në ikje të LSDM-së njëherësh kryeministër. Nga LSDM pranojnë se në mbledhje të Kryesisë Qendrore është folur për vlerat intelektuale dhe politike të Kovaçevskit.

“Bëhet fjalë për person i cili mbi gjitha i plotëson kriteret e partisë, i gatshëm të sjell vendime shtetërore dhe e mbështet shtetin në procesin euro integrues”, tha Bogdanka Kuzeska, Zëdhënëse e LSDM-së.

Zaevi për herë të parë u zgjodh në krye të LSDM-së në vitin 2013. Në vitin 2017 ai u rizgjodh për mandatin e dytë dhe katër vite më vonë në mandatin e tretë si kryetar i socialdemokratëve. Në karrierën e tij politike Zaev mbahet mend si lider i cili publikoi aferën e përgjimeve në vitin 2015. Një vit më vonë nënshkroi Marrëveshjen e Përzhinos. Në vitin 2017 formoi Qeveri dhe nënshkroi marrëveshje për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, ndërsa në vitin 2018 arriti marrëveshje me Greqinë për çështjen e emrit, pakt i cili Zaevin dhe homologun e tij grek Aleksis Tsipras i nominoi për çmimin më të madh ndërkombëtar të paqes “Nobel”. Në vitin 2019 udhëhoqi procesin e ndryshimeve kushtetuese, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2020 arriti për herë të parë si kryetar i LSDM-së ta mposht VMRO-DPMNE-në me numër të deputetëve. Dorëheqja e tij vjen pas fiaskos në zgjedhjet lokale të tetorit. Gjatë mandatit të tij Maqedonia e Veriut u bë anëtare e NATO-s dhe zbatoi regjistrimin e popullsisë, ndërsa nuk arriti të merr datë për negociata me BE-në. /Alsat.mk