Hoxhaj: Sot e një vit Thaçi e Veseli po mbahen padrejtësisht në Hagë

Ish-ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, njëherësh edhe deputet i këtij subjekti politik, ka thënë se ish-presidenti, Hashim Thaçi, si dhe ish-kryetari i PDK-së, po mbahen padrejtësisht në Hagë.

Hoxhaj, nëpërmjet një postimi në ‘Facebook’, e ka cilësuar si “natën më të vështirë” lajmin për ngritjen e aktakuzës ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

“Edhe sot, ende, ata po mbahen padrejtësisht në Hagë. Besoj në pafajësinë e tyre dhe luftën e drejtë, të cilës i prinë! Krerët e UÇK-së nuk janë thyer në luftë e nuk do të thyhen as në Hagë! Në çdo betëjë kanë dalë fitimtarë dhe faqebardhë!”, ka shkruar ndër të tjera ai.

Postimi i plotë i Hoxhajt:

Në ditën e sotme, një vit më parë, mora lajmin më të pabesueshëm në jetën time. Ngritja e aktakuzës ndaj ish-Presidentit Thaçi dhe ish-kryetarit Veseli me bashkëluftetarë ishte tronditëse!

Edhe sot, ende, ata po mbahen padrejtësisht në Hagë. Besoj në pafajësinë e tyre dhe luftën e drejtë, të cilës i prinë! Krerët e UÇK-së nuk janë thyer në luftë e nuk do të thyhen as në Hagë! Në çdo betëjë kanë dalë fitimtarë dhe faqebardhë!

Atë natë, shumë pak persona në PDK e morëm vesh lajmin, e mbajtëm në mirëbesim, deri në momentin kur dy miqtë e mi, Hashimi e Kadriu, e vendosën se duhet të njoftohen edhe qytetarët e Republikës, për të cilën vazhdojnë të mos e kursejnë veten!