Juventusi ndodhet në telashe. Klubi bardhezi është nën hetim nga Prokuroria Publike e Torinos, për falsifikimin e llogarive financiare gjatë tre viteve të fundit, të paktën duke iu referuar raportimeve që vinë nga mediat italiane.


Agjentët e organit tatimor të Torinos dhe efektivët e Guardia di Finanza u paraqitën në ambientet e Juventusit të enjten e kaluar për të sekuestruar disa dokumente që do të shërbejnë si provë.

Andrea Agnelli, presidenti i klubit, Pavel Nedved, zëvendëspresident dhe Fabio Paratici, ish-drejtori sportiv i bardhezinjëve i cili tashmë është pjesë e Tottenham, mund të akuzohen se kanë dhënë “informacion të rremë” dhe se kanë “lëshuar fatura për operacione që nuk ekzistojnë”. Juventusi akuzohet se ka kryer 42 operacione në merkato për një shifër totale prej 50 milionë eurosh, shifra këto që të lënë të kuptosh se ka falsifikuar bilancet ndërsa nën hetim është edhe shkëmbimi Arthur-Pjanic mes bardhezinjëve dhe Barcelonës në verën e vitit 2020.

Pikërisht për shkak të plusvalecave fiktive Juventusi mund të dënohet me gjobë të majme ose me heqje pikësh, ashtu si edhe tre drejtuesit, Agnelli, Nedved dhe Paratici me këtë të fundit që nuk është më pjesë e bardhezinjëve. Ndërkohë që nëse gjërat përshkallëzojnë dënimi maksimal mund të jetë ai i mos regjistrimit në kampionatin e vitit të ardhshëm.