Vazhdojnë bisedimet për shumicën parlamentare. Artan Grubi nga BDI thotë se janë në bisedime jo vetëm me Alternativën por edhe me parti tjera politike për mundësinë e zgjerimit të shumicës parlamentare.


“Jemi në bisedime jo vetëm me Alternativën, por kemi kontakte edhe me parti politike tjera që janë pjesë e kuvendit që ti bashkëngjiten shumicës parlamentare ose ta përkrahin shumicën parlamentare dhe ndaj bindjen se të gjitha at që duan ta shohin Maqedoninë në BE do ti bashkëngjiten kësaj shumice”, tha Artan Grubi, BDI.

Derisa lideri i VMRO DPMNE-së Hristijan Mickoksi kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare, Grubi mendon se në vend nuk do të ketë zhvillime dramatike. Ai paralajmëron partitë shqiptare, Besën, Aleancën dhe Alternativën që të mos bëjnë ndonjë hap i cili sipas tij do të rrezikonte ardhmërinë evropiane të vendit.

“Nuk pres zhvillime dramatike në këtë vend. Unë jam i bindur se edhe z. Gashi, por edhe z.Kasami, z. Sela janë të vetëdijshëm për rëndësinë e këtij momenti dhe zhvillimeve që po ndërmerren në Bruksel në drejtim të hapjes së negociatave dhe nuk do të bëjnë asnjë hap për ta rrezikuar ardhmërinë evropiane të vendit”, pohoi Artan Grubi, BDI.

Pasi Besa braktisi koalicionin, shumica parlamentare mbeti me 59 deputetë. Qeveria mbeti e gjallë pasi deputeti Kastriot Rexhepi nuk votoi për rrëzimin e Qeverisë, por për tu stabilizuar, shumicës aktuale i duhet të paktën edhe një deputet. Nga ana tjetër Alternativa po diskuton hyrjen në Qeveri dhe për këtë pritet që nesër të dalin me vendim. Kjo parti njëherë nënshkroi iniciativën për ta rrëzuar Qeverinë, ndërsa tani po diskuton bashkëqeverisje me të njëjtën. Kryetari i kësaj partie Afrim Gashi pas takimit që pati me Zaevin, tha se është i obliguar që të përpunojë dy variante të zgjidhjes.