Shkup, 17 nëntor – Në vazhdim të edicionit të sivjemë “Ditët e
Alfabetit” organizuar nga ITSHKSH, sot në Shkup në kuadër temës
bosht rreth Letërsisë, gjuhës, kulturës dhe traditës së arbëreshëve të
Italisë, u trajtua profili shkencor e intelektual i prof. Françesko
Altimarit, njëra prej figurave më emblematike të botës arbëreshe. I
pranishëm ishte edhe zv.ministri i Drejtësisë, Agim Nuhiu, i cili
konfirmoi përkushtimin institucional ndaj aktiviteteve shkencore e
kulturore të ITSHKSH, të cilat organizohen në kuadër të manifestimit
tradicional “Ditët e Alfabetit”.
Mbi rëndësinë e kësaj teme të përzgjedhur në fillim foli Hidajete
Azisi, udhëheqëse e Departamentit të gjuhës shqipe në ITSHKSH, e cila
nënvizoi se Prof. Françesko Altimari shquhet me aftësinë e tij për të
krijuar ura të shumta komunikimi përmes opusit shumë të gjerë e
kompleks shkencor nga fusha e filologjisë, jo vetëm arbëreshe por edhe
të mbarë shqipes, ai do të shquhet si një model i një filologu e
gjuhëtari bashkëkohor, jo vetëm në kohë, por edhe në mendësi. Në këtë
mënyrë, tha Azisi, profesori ynë i nderuar Françesko Altimari, do të
hap shtigje të reja në emancipimin e dijes shqiptare dhe do të ketë
një rol të rëndësishëm në ndërkombëtarizimin e albanologjisë dhe
sidomos të filiologjisë arbëreshe.
Mbi profilin shkencor e inteletktual të prof. Altimarit, me një
kumtesë përmbajtësore u paraqit prof. Anton Nikë Berisha, i cili vuri
në dukje se është krejtësisht e natyrshme që Altimari vëmendjen
kryesore në punën e vet ia kushtoi studimit të gjuhës së arbëreshëve
të Italisë, përkatësisht të folmeve të saj. Ky përcaktim lidhet me
faktin se këto të folme paraqesin një stad të hershëm të gjuhës sonë
dhe se njohja e tyre nënkupton njohjen e disa veçantive të rëndësishme
të shqipes në përgjithësi në një periudhë më të hershme, të ruajtur në
forma të ndryshme edhe sot e gjithë ditën në të folmet e ngulimeve
arbëreshe, tha prof Berisha.
Në vazhdim , prof. Berisha foli për një dimension tjetër të angazhimit
të Françesko Altimarit.
“Dukuritë e kulturës, të gjuhës dhe të letërsisë arbëreshe Altimari i
vëzhgoi nga zanafilla e vendosjes së arbëreshëve në Itali (nga vepra e
parë në arbërisht E mbsuame e krështerë e Lukë Matrëgës, botuar më
1592), duke i parë në vijimësinë e zhvillimit e të ndryshimit të tyre
në rrjedhë të kohëve. Pra, kërkimet dhe përfundimet e punimeve dhe të
veprave të tij nisen nga kërkimet paraprake të autorëve të tjerë,
arbëreshë, shqiptarë dhe të huaj, për t’i thelluar nëpërmjet analizave
dhe duke u mbështetur në të mbërrimet më të reja shkencore. Kjo del
qartazi në një varg punimesh , ku ai i vështroi dhe i ndriçoi dukuritë
gjuhësore të ndërliqshme, duke pasur për bazë materialin e të folmeve
arbëreshe, të mbledhur më parë nga të tjerët ose të mbledhur më vonë
nga studiues të ndryshëm ose nga ai vetë si dhe veprat e shkrimtarëve
arbëreshë, të botuara ose të lëna në dorëshkrim”, nënvizoi prof.
Berisha.
Mbi Sistemin shkencor të studiuesit Françesko Altimari në rindërtimin
dhe ribotimin e tekstit letrar, me një kumtesë interesante u paraqet
prof. Floresha Dado nga Tirana. Ajo u ndal sidomos në metodologjinë
rreth studimit të teksteve të letërsisë arbëreshe në një kontekst
evropian dhe me gjerë. Me këtë rast ajo vlerësoi punën shkencore të
prof. Altimarit në përgatitjen cilësore të kompletit të De Radës, që
mund të shërbejë edhe si një model për të tjerët se si mund të
studiohen shkrimtarët e traditës.
Për figurën komplekse të prof. Françesko Altimarit, me një kumtesë
përmes video-lidhjes u paraqit edhe prof. Matteo Mandala nga
Universiteti i Palermos, i cili vuri në dukej se Ak. Prof. Francesko
Altimarin mund ta konsiderojmë me plot të drejtë dhe pa druajtje
gabimi novatorin më të suksesshëm në albanologjinë bashkëkohore.
“Duke ndjekur gjurmët e prof.të ndjerë Francesco Solano dhe Antonino
Guzzetta, Altimari është pjellë e fazës së re modernizuese që çoi
albanologjinë italiane të zgjeronte diapazonin e saj epistemologjik,
të fuqizonte marrëdhëniet me sektorë të tjerë shkencorë të afërt, të
promovonte imazhin e kësaj disipline në rrafshin kombëtar dhe
ndërkombëtar dhe njëherazi të forconte lidhjet me ambientet
arbërishtfolëse”.
Prof. Mandala, veç tjerash, përmendi edhe disa kontribute të tjera të
prof. Altimarit.
“Pikërisht “revolucioni teknologjik” ka qenë një nga arritjet kryesore
të Altimarit përmes futjes në përdorim të mjeteve informatike që
favorizuan zhvillimin e disa hipotezave ambicioze të kërkimit,
rezultatet e të cilave janë tashmë në dispozicion të studiuesve të
sotëm. Modernizimi teknologjik e zuri fillin aty nga fundi i viteve
’80, por qysh në gjysmën e parë të dhjetëvjeçarit pasues u shfaqën
rezultatet e para në disa lëmenj të albanologjisë”, tha prof. Matteo.