Në qoftë se edhe në Këshillin e ardhshëm të Bashkimit Evropian Bullgaria e bllokon Maqedoninë, Polonia do të dërgojë kërkesë që të vendoset një Udhërrëfyes sipas të cilit do të hapen negociatat e Maqedonisë me BE. Këtë e theksoi Presidenti i Polonisë, Andzhej Duda, i cili shtoi se Maqedonia e ka përkrahjen e tyre të plotë për start të negociatave. Presidenti i vendit, Stevo Pendarovski, lidhur me deklaratat e Presidentit bullgar, Radev i cili deklaroi se ka proces për “debullgarizim” në Maqedoni, tha se në Komisionin për Luftë Kundër Diskriminimit në vendin tonë nuk ka asnjë rast për mohim të së drejtës që dikush të deklarohet si bullgar.


“Shpresoj se qeveria e re e Bullgarisë do të ketë pozicion më konstruktiv në lidhje me anëtarësimin e RMV-së në BE-në. Në këtë moment do të doja të thosha se Polonia e mbështet RMV-në për hyrje në BE-në dhe dua publikisht të deklaroj se nëse Bullgaria edhe më tej reagon në mënyrë jokonstruktive përkatësisht nëse thotë JO për hyrjen e RMV-së në BE-në, unë personalisht do të angazhohem për përpilim të një udhërrëfyesi, përkatësisht për përpilim të një dokumenti i cili do t’i ndihmonte RMV-së që sa më lehtë të ballafaqohet me këtë çështje për hyrje në BE-në”, tha Duda.

“Edhe pse në periudhën e kaluar Bullgaria ishte në proces zgjedhor, në një sërë të proceseve zgjedhore, ne përmes MPJ-së reaguam në mënyrë të rregullt, në të gjitha takimet që i kishim me përfaqësuesit e MPJ-së së Bullgarisë në lidhje me deklarata të këtilla që nuk kanë të bëjnë me realitetin. Bëhet fjalë për deklaratë e cila nuk ka bazë reale dhe ky është fakt. Për momentin edhe para edhe pas regjistrimit të popullsisë nuk ka asnjë rast të denoncuar nga ndonjë qytetar i vendit tonë i cili është deklaruar si bullgar etnik dhe jeton në RMV, i cili ka kërkuar mbrojtje nga organet tona kompetente me arsyetim se i ishte mohuar kjo e drejtë”, tha Pendarovski.