Asnjëri nga autobusët e “Besa Trans” nuk ishin regjistruar në sistemin elektronik të doganës kur kanë kaluar kufirin. Kjo është theksuar mbrëmë në TV24 nga Sllavica Kutirov, ushtruese detyre e drejtorit të Drejtorisë së Doganave të Maqedonisë së Veriut.


“Në mbrëmjen e 18 dhe 19 nëntorit kanë kaluar edhe 4 autobusë të “Besa Transit” dhe në sistem nuk ka evidencë për ta. Ne kemi mbajtur evidentimin se kanë kaluar, por kjo është një arsye se ka pasur papërgjegjësi, sepse nuk kishte regjistrime të rregullta sipas procedurës. Vetë procedura parashikon që transportuesi është i detyruar të dorëzojë një sërë dokumentesh dhe një nga ato dokumente është edhe licenca. Nuk do të thotë se i kanë kërkuar kolegët, ata pretendojnë se i kanë kërkuar dhe në bazë të kësaj janë të detyruar të mbajnë evidencë në sistem. Mungojnë të dhënat elektronike në sistem. Ne nuk mbajmë kopje të atyre dokumenteve, por kemi detyrim të mbajmë një kopje të vërtetuar të transportit të udhëtarëve. Sipas deklaratave të zyrtarëve, atë natë sistemi ka punuar ngadalë dhe nuk kanë arritur të mbajnë shënime”, tha Kutirov.

Nga Drejtoria doganore paraprakisht kanë thënë se nuk e dinë se sa pasagjerë janë kthyer në vend pas udhëtimit për në Stamboll. Në dalje nga Maqedonia në autobusin që ka marrë flakë kanë qenë 51 pasagjerë dhe një shofer. Autobusi i dytë që nisej jashtë vendit kishte dy drejtues dhe 51 pasagjerë. Dy autobusët e tjerë kishin 54 dhe 40 pasagjerë me drejtues. Por këta dy autobusë kishin vetëm një listë të udhëtarëve të shkruar me dorë, listat nuk ishin të vulosura, nuk kishte numër, datë, targë dhe rrugë. Nuk ka asnjë numër se sa pasagjerë kanë hyrë në vend. Administrata doganore nuk ka informacion nëse të dhënat e tyre përputhen me ato të homologëve të tyre në kufirin turko-bullgar. Doganat thonë se janë duke u bërë kontrolle të dokumentacionit të periudhës paraardhëse.(INA)