Dhjetë mijëra njerëz marshuan në qendër të Brukselit të dielën për të protestuar kundër masave të përforcuara anti-COVID që Qeveria ka vendosur për të luftuar rritjen e fundit të rasteve të koronavirusit.


Në demonstratën e madhe që policia vlerësoi se morën pjesë rreth 35,000 njerëz, u protestua gjithashtu kundër këshillave të forta për t’u vaksinuar dhe çdo lëvizjeje për bërjen e vaksinimit të obligueshëm.

Duke thirrur “Liri, liri, liri” dhe duke kënduar këngën antifashiste “Bella Ciao”, protestuesit u rreshtuan pas një pankarte të madhe ku thuhej “Së bashku për Lirinë”.

Mes turmës, tabelat varionin nga shenjat e ekstremit të djathtë deri te flamujt e koalicionit ylber të komunitetit LGBT.

Kishte bomba tymi dhe fishekzjarrë, por nuk pati dhunë të dukshme kur marshuesit e parë arritën në pikën e fundit jashtë selisë së Bashkimit Evropian.

Ditëve të fundit, ka pasur marshime në shumë vende evropiane, pasi njëra pas tjetrës qeveritë ashpërsuan masat anti-COVID, duke shkuar deri në mbyllje të vendit, siç është rasti i Austrisë.

Ndërkohë, policia holandeze arrestoi rreth 40 persona gjatë trazirave në Hagë dhe qytete të tjera, derisa të paktën 5 policë mbetën të plagosur, pas dhunës së shfaqur gjatë protestave atje.