Deputeti Kastriot Rexhepi, protagonisti i javës së kaluar që bëri të dështoj mocioni i mosbesimit të Qeverisë së kryeministrit Zoran Zaev, sot do të flas para mediave në Kuvend për gjithë atë çfarë i ndodhi të enjten e kaluar kur mungoi në seancën për votimin e mocionit të mosbesimit të Qeverisë.


Deputeti i Lëvizjes BESA, Rexhepi, që tashmë është përjashtuar nga partia e tij do të jap detaje se pse nuk shkoi në Kuvend ditën e enjte në seancën për mocionin e mosbesimit, kush e kërcënoi si dhe për shumë prapaskena të tjera që po i pret opinion publik, përcjell INA.

Megjithatë, ai gjatë javës së kaluar është paraqitur përmes rrjeteve sociale, duke treguar se është mirë dhe se do të sqarohet për gjithçka.

“Të nderuar miq e familjarë pa marë parasysh bindjeve të juaja politike, Ju faleminderit për kujdesin dhe mbështetjen që ma jepni. Në ditën në vijim do të kemi rast që të informoheni më shumë drejt për drejt për gjithë çka. Sa i përket mediumeve dhe interesimit të madh që e kuptoj i informoj që paraqitja ime e parë do të jetë të hënën përmes pres konferencës. Për në fund apeloj deri te udhëheqësia e Lëvizjes Besa që të mos ndërmarrë hapa të përshpejtuara që do të sjell dëm në strukturat dhe aktivistët tanë. Emocionet duhet lënë anash dhe veprimet duhet të bëhen me maturi”, ka shkruar Rexhepi.

Lëvizja BESA përjashtoi atë, por ai pritet të flas edhe për këtë.