Chelsea prek kualifikimin, Wolfsburg merr fitoren e parë!

Chelsea i Thomas Tuchel po kalon një moment të shkëlqyer forme. Blutë e Londrës regjistruan fitoren e 7-të radhazi në të gjitha kompeticionet pasi mposhtën me rezultatin minimal suedezët e Malmo në raundin e 4-t të ndeshjeve në grupe në Uefa Champions League duke hedhur një hap të sigurt drejt kualifikimit. Pa lojtarë të rëndësishëm si Lukaku, Werner, Kovacic e Mount, Chelsea iu fal një gol të realizuar në fillimin e pjesës së dytë nga marokeni Hakim Ziyech.

Me këtë sukses skuadra e Tuchel u ngjit në kuotën e 9 pikëve në grupin H po për momentin mbetet e dyta. Mori fitoren e parë ndërkohë në grup Wolfsburgu që me trajnerin e ri Kohfeltd regjistroi fitoren e dytë në pak ditë pasi mposhti në Gjermani austriakët e Salzburg me rezultatin 2-1. Baku hapi serinë e golave pas vetëm tre minutash për ujqërit ndërkohë që Wober barazoi në të 33-ën për miqtë. Në pjesën e dytë sulmuesi Nmecha realizoi golin e fitores për Wolfsburg që u ngjit përkohësisht në vendin e dytë të grupit G me 5 pikë, 2 më pak se Salzburgu kryesues.