Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Nazim Bushi ka pasur lidhje të drejtpërdrejtë në ClickPlus në edicionin special për tragjedinë në Bullgari ku humbën jetën 45 persona.


Ai ka shprehur ngushëllime deri te të gjithë familjarët e viktimave, ndërkaq për të lënduarit ka uruar shërim sa më të shpejtë.

Duke folur për aspektin teknik të autobusit të aksidentuar, ka njoftuar se “kontrolli teknik i autobusit është kryer në muajin tetor”.

Ka njoftuar se sot gjatë ditës është marrë materiali ADN i familjarëve të viktimave, i cili më pas dërgohet në Bullgari për t’u kryer identifikimi i viktimave.

“Sot, gjatë ditës, të gjitha sektorët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke filluar prej Dibër deri në Kumanovë, kanë marr familjarët e viktimave që në Institutin e Mjekësisë Ligjore të bëjnë analiza të ADN-së si dhe të bëjnë grumbullimin e të gjitha të dhënave për t’i dërguar në Republikën e Bullgarisë dhe në bazë të analizës së ADN-së në Bullgari do të bëhet identifikimi i viktimave”, tha Bushi.