Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken në një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm polak, Zbigniew Rau ka bërë përgjegjës qeverinë bjelloruse dhe Moskën për krizën e refugjatëve në kufirin Poloni-Bjellorusi.


Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price njoftoi se lidhur me krizën e refugjatëve në kufirin Poloni-Bjellorusi, Blinken ka deklaruar se SHBA-ja bën përgjegjës në mënyrë të hapur presidentin bjellorus, Alexander Lukashenko dhe Rusinë.

“Veprimet e regjimit të Lukashenkos teksa kërcënojnë sigurinë e rajonit dhe nxisin ndarjen, ato synojnë të tërheqin vëmendjen nga hapat e Rusisë në kufirin e Ukrainës”, thuhet në deklaratë.

Duke mbrojtur idenë se Bjellorusia i “përdor refugjatët për interesat e saj”, Blinken paralajmëroi se sanksionet e Perëndimit mund të rriten kundër këtij vendi dhe Rusisë.

Presidenti i Bjellorusisë, Lukashenko në një fjalim më 6 korrik duke rikujtuar procesin e Bjellorusisë për pezullimin e marrëveshjes së rikthimit me BE-në, ka thënë se pas qëndrimit të Perëndimit ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, tashmë ata nuk do të pranonin më njerëzit që largohen nga lufta.

“Të ardhurit në Bjellorusi për të shkuar në Evropë nuk do të mbahen në vend”, ka theksuar Lukashenko.

“Ata që mendojnë se do të mbyllim kufijtë tanë me Poloninë, Lituaninë, Letoninë, Ukrainën dhe do të bëhemi ‘vendstrehim’ për ata që vijnë nga Afganistani, Irani, Iraku, Libia, Siria dhe Tunizia e kanë gabim. Ne nuk do të mbajmë askënd. Ata nuk vijnë tek ne, ata shkojnë në Evropën e ndriçuar, të ngrohtë dhe të rehatshme”, ka potencuar Lukashenko.

BE-ja akuzon Bjellorusinë se “përdor si mjet migrimin e parregullt dhe përpiqet të destabilizojë Unionin në këtë mënyrë”, duke dërguar refugjatët e ardhur nga vende si Iraku në kufijtë e vendeve të BE-së si Polonia, Lituania dhe Letonia.

Thuhet se rreth dhjetë persona kanë humbur jetën në dy muajt e fundit të cilët janë bllokuar në mes dy vendeve dhe të cilët luftojnë për mbijetesë nën kushte të vështira për shkak të motit të ftohtë dhe ushqyerjes së pamjaftueshme.