Sot në Klubin e Deputetëve në Shkup është zhvilluar takimi mes kryeministrit Zoran Zaev dhe kryetarit të Alternativës, Afrim Gashi. Takimi është thirrur nga kryeministri Zaev në përpjekje për të siguruar shumicën e deputetëve në Kuvend, që aktualisht i mungon pushtetit.


Pas takimit kryeministri Zaev në konferencë për shtyp ka deklaruar se ka biseduar me Alternativën në lidhje me proceset e rëndësishme të vendit. Zaev tha se koalicioni i ardhshëm mund të bazohet në parimet programore.

“Ne folëm për shumë gjëra të rëndësishme që duhej të ktheheshim. Koalicioni eventual i ardhshëm do të bazohet në parimet programore, gjë që është pozitive”, tha Zaev.

Kryeminsitri Zaev shtoi se bisedimet do të vazhdojnë javën e ardhshme.

Ndërkaq kryetari i Alternativës Afrim Gashi, Afrim Gashi tha se partia e tij është para një udhëkryqi të madh politik.

“Kryeministri kërkoi nga ne që ne të bëhemi pjesë e Qeverisë. Një javë më parë ne kishim tentim për ta rrëzuar këtë Qeveri. Duke e parë seriozitetin e situatës, jemi të detyruar e kemi obligim, edhe për shkak procesit që gjendemi, erdhëm ta dëgjojmë kryeministrin Zaev si të tejkalohet kjo krizë. Si e sheh ai Alternativën”, ka thënë Afrim Gashi.

Ai tha se ato kanë dy opsione, të cilat do të diskutohen në organet e partisë.

“I pari është bashkëngjitja në shumicën aktuale dhe e dyta është hyrja në Qeveri. Kam takime me Selën dhe me kryetarin e VMRO-së, Mickoski. Ne këto dy këto vështrime të ndryshme do t’i sjellim në organet e partisë të shohim se cila është zgjidhja. Cila është me më rëndësi për qyqarët, shqiptaret dhe për partinë Alternativa”, tha Afrim Gashi.

Afrim Gashi tha se ata nuk do të futen në Qeveri nëse nuk do të jenë të sigurt se do të realizohen interesat e qytetarëve, shqiptarëve por edhe të partisë Alternativa.