Sipas propozimeve, kërkohet që reklama të etiketohet si politike, të zbulohet financuesi, sasia e mjeteve, si dhe kriteret e përzgjedhjes së publikut në internet.


Komisioni Evropian propozoi rregulla të reja për reklamat politike dhe transparencë, duke kërkuar që kompanitë teknologjike të zbulojnë sponsorët dhe shumën e harxhuar për fushatat, si dhe kriteret e përzgjedhjes së publikut në internet.

Masat kanë për qëllim të stimulojnë transparencën e reklamave politike në mënyrë që të mbrojnë demokracinë dhe privatësinë e qytetarëve të BE-së.

Rregullat e propozuara kërkojnë etiketim të qartë të reklamave politike dhe shfaqje të financuesit të fushatës, sa para janë paguar për fushatën dhe nga cilat fonde.

Reklamat online nga Facebook-u dhe platformat tjera, duke përfshirë edhe ato të financuara nga qeveria ruse, kanë shkaktuar kritika për dezinformimin e fshehtë, me qëllim të nxitjes së tensioneve dhe ndikimit te votuesit.

Propozimi i komisionit do të përcaktojë rregulla për të gjitha llojet e reklamave politike, por fokusi kryesor është tek gjigantët e teknologjisë dhe fushatat në rrjetet sociale, pasi do të vendosen kushte struktë të transparencës në lidhje me fushatat online.

Rregullat do të ndalonin teknikat dhe mundësinë e përzgjedhjes për reklamat politike në bazë të të dhënave të ndjeshme, siç janë përkatësia etnike, fetare, ose orientimin seksual, pa pëlqimin e qartë të përdoruesit.

Gjithashtu do të kërkohej që reklamat e shënjestruara të tregojnë kriteret sipas së cilave është përzgjedhur publiku, si dhe të tregojnë cilat grupe tjera janë të shënjestruara.

“Zgjedhjet nuk duhet të jenë garë e metodave të errëta dhe jotransparente. Njerëzit duhet të dinë pse e shohin një reklamë, kush ka paguar për të, sa ka paguar, cilat kritere të mikro-përzgjedhjes janë përdorur”, tha Vera Jourova, Komisionerja e BE-së për Vlera dhe Transparencë.

Nëse nuk përmbushen rregullat, Komisioni Evropian do të kishte mandat të ndëshkojë kompanitë e teknologjisë dhe platformat e reklamave të përfshira.

Propozimi duhet të miratohet nga Parlamenti Evropian dhe nga Këshilli i BE-së ku bëjnë pjesë vendet anëtare.