Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian hapën rrugën për sanksione të zgjeruara kundër Bjellorusisë.


Kjo do të thotë që BE për herë të parë mund të vendosë sanksione ndaj individëve dhe organizatave përgjegjëse që mbështesin pushtetin e atjeshëm në nxitjen e refugjatëve. I Ngarkuari i BE për Politikën e Jashtme, Josep Borrell tha se sanksionet e reja duhet të godasin linjat ajrore, agjencitë e udhëtimit dhe palët e tjera përgjegjëse të përfshira në trafikimin e emigrantëve. Lista e sanksioneve do të hartohet në javët në vijim. Ai theksoi se përpjekjet për të ndaluar fluturimet me njerëz nga vende të ndryshme të krizës tashmë po jepnin efekt.

Ministri i Jashtëm gjerman Maas kishte thënë në Bruksel më parë se e priste një ashpërsim të sanksioneve kundër Bjellorusisë.

Politikani socialdemokrat tha në kuadër të një takimi me homologët në Bruksel se masat duhet të synojnë personat e përfshirë në trafikimin e emigrantëve drejt kufirit të jashtëm të BE. Përveç kësaj, do të flitet për sanksione të ashpra ekonomike.

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas pati kërcënuar më tej se do të hiqen të drejtat e fluturimit dhe uljes së linjave ajrore nëse ato vazhdojnë të sjellin emigrantë në Bjellorusi. I Josep Borrell njoftoi gjithashtu një paketë të re sanksionesh.

Iraku dëshiron të rikthejë njerëzit

Mijëra njerëz nga rajonet e krizës si Siria dhe Jemeni kanë pritur prej ditësh në kufirin Bjellorusi-Poloni. Pas kërcënimeve nga BE, disa linja ajrore njoftuan se po pezullonin fluturimet e tyre drejt Bjellorusisë ose se nuk do të transportonin më atje pasagjerë nga disa vende. Iraku dëshiron të rikthejë qytetarët që duan të fluturojnë në atdhe të enjten.

Qytetarët irakianë mund të kthehen në shtëpi mbi baza “vullnetare” të enjten, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Ahmed al-Sahaf në televizionin irakian të hënën në mbrëmje, sipas mediave arabe. Autoritetet irakiane “regjistruan 571 irakianë” në zonën kufitare, të cilët ranë dakord të kthehen vullnetarisht në shtëpi, tha ai./DW