Kryetari i PD-së, Lulzim Basha i është përgjigjur Sali Berishës, i cili pasditen e sotme nga Librazhdi e akuzoi se po shkon në SHBA (vizitë e paralajmëruar) me dy dosje të rënda, çështjen e lobimit dhe atë të “Toyota Yaris”.


Lideri i PD-së thotë se Sali Berisha po riciklon Edi Ramën duke e shoqëruar reagimin në Twitter me videon e akuzave që kryeministri i bëri pak ditë më parë nga foltorja e Kuvendit për çështjen e dosjes “Toyota Yaris”.

“I keqardhur sa poshtë ka rënë Sali Berisha që riciklon akuzat e Edi Ramës. Sali Berisha me asnjë trillim nuk do ta bunkerizojë PD për interesat e tij personale. PD është dhe do të jetë përjetë aleate e SHBA dhe askush nuk mund ta shndërrojë në mburojë të interesave personale” shkruan ai.

Por cfarë tha konkretisht Sali Berisha?

Nisur nga deklarata që Lulzim Basha bëri sot se ka marrë ftesa për një vizitë në SHBA, ish-kryeministri Berisha i dërgoi këtë mesazh.

“Sot ka njoftuar se ka marrë një ftesë për në SHBA, unë do i them dy fjalë, Lulëzim në Shtëpinë e Bardhë shkoi edhe “Saje qorri”, Saimir Tahiri, shkoi me dosjen Habilaj në kurriz. Ti shkon aty me dy dosje, jo me një por me dy po kaq të rënda, me dosjen “Muzin” dhe dosjen “Toyota Yaris”.

Tre vjet më parë u nis për në SHBA, doli një grup demokratësh për ta pritur në aeroport, nuk shkoi. Pyetën, çfarë ndodhi?

Po të vinte do arrestohej, ju thanë demokratëve. Dosja “Muzin” është një dosje përvëluese për “peng-Bashën”.

Edhe Saje shkoi me dosjen Habilaj, por ja ku e ka në kurriz dhe kalon nga gjykata në gjykatë” tha ai.