Inspektorati Shtetëror i Transportit ka lëshuar urdhëresë për inspektim të jashtëzakonshëm në kompaninë “Besa Trans”. Gjatë ditëve në vijim do të kontrollohet se sa licenca për autobus ka kompania dhe a është respektuar ligji nga të punësuarit.


Drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Transportit, Rifat Huseini, thekson se sipas ligjit çdo autobus duhet të pajisjet me certifikata, por edhe ai shprehet i habitur se si ka mundur autobusi të kalojë përmes tre kufijve pa licencë. Drejton gishtin tek Drejtoria Doganore.

“Edhe ne pyesim, nuk e dimë. Ne si Inspektorat Shtetëror nuk kemi qasje çdoherë nëpër pikat kufitare, por shkojmë sipas nevojës ose thirrjes nga ana e Drejtorisë Doganore ose MPB-ja dhe flas për këtë rast nuk kemi pasur thirrje nga ata dhe tani si kanë kaluar, a kanë pasur ose jo? Ministria thotë se nuk gjenden në listën e kompanive që kanë licencë për atë autobus dhe sot unë kam dorëzuar kërkesë zyrtare që të shoh se çfarë ka “Besa Trans”, pasi mund të ketë edhe ndonjë autobus tjetër që nuk është i regjistruar në evidencë e kompanisë.”,- tha drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Transportit, Rifat Huseini.

Boçvarski: Kontrolli i licencës, përgjegjësi e doganës

Edhe ministri për transport dhe lidhje, Bllagoj Boçvarski, thotë se dogana obligohet në çdo vendkalim kufitar të kontrollojë nëse automjeti ka pasur ose jo certifikatë të licencës.

“Licenca jepet dhe vlen 4 vjet nga ai moment kurse në ligjin e ri vlefshmëria do të jetë 5 vite. Por, çdo ndryshim që ndodhte në lidhje me furnizimin e ndonjë automjeti të ri apo largimin e ndonjë automjeti, pronari i kompanisë duhet që menjëherë ta njoftojë Ministrinë e Transportit më së voni deri në 15 ditë. Ligji gjithashtu thotë se në vendkalimin kufitar, Drejtoria Doganore sipas nenit 81 të këtij ligji duhet t’i kontrollojë këto dokumentacione a janë nxjerrë, pra a i posedon ai automjet, pasi çdo automjet dhe çdo shofer është i obliguar që t’i mbajë me vete atë certifikatë.”,- u shpreh ministri i transportit dhe lidhjeve, Bllagoja Boçvarski.

Autobusi pa licencë, Drejtoria Doganore: Po kryejmë kontroll

E se si ka arritur që autobusi pa licencë ta lëshojë Maqedoninë e Veriut dhe më pastaj edhe dy kufij të tjerë, nga Drejtoria e Doganave të RMV-së nuk kanë përgjigje, thonë se po kryejnë hetim të detajuar.

“Sektori për përgjegjësi profesionale në Drejtorinë Doganore është në PK “Deve Bair”, me qëllim që në mënyrë të detajuar të kryhet kontroll në veprimin e transportuesit dhe nëpunësve doganor, në përputhje me kompetencat e parapara me Ligjin për Transport në Trafikun Rrugor në ditën e daljes së këtij autobusi, si dhe veprimi në periudhën paraprake. Për rezultatet nga kontrolli, Drejtoria Doganore do të informojë në kohë.”,- u tha nga Drejtoria Doganore.

Autobusi i Kompanisë “Besa Trans” nuk është në bazën elektronike të Ministrisë për Transport dhe Lidhje, por inspektimi dhe hetimet duhet të tregojnë se si u lejua ai të qarkullojë nëpër kufijtë e tre shteteve.