Ministri i Jashtëm i Armenisë, Ararat Mirzoyan, e ka akuzuar Turqinë fqinje se ka vendosur “kushte të reja” për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.


Në një intervistë dhënë gazetës franceze Le Figaro, Mirzoyan tha se Armenia është e gatshme për normalizim e raporteve me Ankaranë pavarësisht “mbështetjes së madhe turke” për Azerbajxhanin gjatë luftimeve të vitit 2020 mbi rajonin e Nagorno Karabakut.

“Ne kemi marrë sinjale pozitive nga Turqia për të rihapur dialogun, por ai mbetet i ndërlikuar. Ankaraja po vendos kushte të reja. Midis tyre edhe për një ‘korridor’ që e lidh Azerbajxhanin me enklavën e Nakiçevanit”, tha ministri armen.

Turqia ka qenë prej kohësh një aleat kyç rajonal i Azerbajxhanit dhe e ka mbajtur kufirin e saj me Armeninë të mbyllur për gati tre dekada, për shkak të asaj që tha se ishte pushtimi i Nagorno Karabakut dhe rajoneve përreth nga Armenia.

Mirzoyan tha gjithashtu se situata rreth Nagorno Karabakut mbetet e tensionuar, duke akuzuar Bakun për zvarritje të çështjes së lirimit të robërve armenë të luftës.

Ai kërkoi rifillimin e menjëhershëm të bisedimeve nën kujdesin e Grupit të Minskut të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Nagorno Karabaku njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por i gjithë territori dhe shtatë rrethet përreth u kontrolluan nga forcat etnike armene që nga përfundimi i një lufte separatiste më 1994 deri në luftën e vitit të kaluar.

Negociatat e ndërmjetësuara ndërkombëtare nën kujdesin e OSBE-së, duke përfshirë të ashtuquajturin Grupin Minsk të bashkëkryesuar nga Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Franca, nuk prodhuan një zgjidhje të konfliktit.

Në shtator të vitit 2020, Azerbajxhani nisi një ofensivë ushtarake përmes së cilës mori kontrollin e shtatë rretheve përreth, dhe një pjesë të konsiderueshme të vetë Nagorno Karabakut.

Konflikti përfundoi kur Armenia nënshkroi një marrëveshje armëpushimi të ndërmjetësuar nga Rusia që i dha Azerbajxhanit kontrollin mbi pjesët e Nagorno Karabakut.