Votuesit në qytetet më të mëdha të Italisë po marrnin pjesë të dielën në zgjedhjet lokale, të parat që kur Mario Draghi u bë kryeministër në muajin shkurt. Sipas anketimeve, votimet pritet të sjellin fitore të qendrës së majtë në qytetet kryesore.


Rreth 12 milionë votues kanë të drejtën të zgjedhin kryetarët e bashkive të Romës, Milanos, Napolit, Torinos dhe në më shumë se 1 mijë qytete më të vogla në zgjedhjet lokale të cilat pritet të pasqyrojnë kontrollin e dobët të Matteo Salvinit në kahun e djathtë dhe të rezultojnë me fitore të qendrës së majtë në betejat kryesore elektorale.

Salvini, udhëheqës i partisë Lega Nord, i cili dukej në një rritje të pandalshme kur e udhëhoqi partinë e tij drejt një triumfi në zgjedhjet evropiane në vitin 2019, ka parë që popullariteti i tij të bjerë dhe partia e tij rrezikon të lihet pas nga partia e djathtë aleate, Vëllezërit e Italisë.

Sipas anketimeve të fundit, Lega Nord ka parë rënien e mbështetjes nga 34% që fitoi në votimet evropiane, në rreth 20%, dhe renditet tashmë pothuajse në të njëjtin nivel me Vëllezërit e Italisë dhe Partinë Demokrate (PD).

Partia Lega Nord e zotit Salvini dhe Partia Demokrate janë të dyja në qeverinë e unitetit kombëtar të zotit Draghi, së bashku me Lëvizjen 5 Yjet, e cila renditet në anketime me rreth 16%, ndërsa partia Vëllezërit e Italisë është në opozitë.

Aleanca e djathtë, e cila përfshin partinë Forza Italia të Silvio Berluskonit, kryeson në shkallë vendi, por mbështetja e saj është më e fortë në qytetet e vogla dhe fshatrat, dhe kandidatët e saj pritet të humbasin në shumicën e qyteteve kryesore.

Në zonat ku asnjë kandidat nuk arrin 50% të votave në raundin e parë të dielën dhe të hënën, do të zhvillohet një balotazh dy javë më pas.

Në kryeqytet, ish-ministri i Ekonomisë Roberto Gualtieri nga Partia Demokrate pritet të fitojë përballë kryebashkiakes Virginia Raggi, e Lëvizjes 5 Yjet. Megjithatë duket se do të duhet të zhvillohet edhe një balotazh mes Gualtierit dhe kandidatit të së djathtës Enrico Michetti, një avokat vendas dhe gazetar radioje, ndërsa zonja Raggi duket se do të renditet në vendin e tretë.