Votojnë të burgosurit dhe personat e sëmurë e të pafuqishëm, procesi zhvillohet pa pengesa

Gjithsej 10.653 qytetarë kanë të drejtë vote sot, një ditë para votimit zyrtar. Procesi zhvillohet në 13 burgje të karakterit hetues dhe ndëshkues. Gjithashtu të drejtën e tyre të votës sot e ushtrojnë edhe qytetarët e sëmurë, të pafuqishëm, personat e prekur nga kovid dhe ata në izolim, si dhe qytetarët që gjenden në shtëpitë e të moshuarve. Sipas kreut të KSHZ-së, procesi i votimit zhvillohet pa pengesa.

Deri në këtë moment votimi zhvillohet pa problem. Në shtëpitë e tyre të drejtën e votës e shfrytëzojnë 7.921 qytetarë të paraqitur për votim. 476 është numri i qytetarëve që ndodhen në izolim për shkak të Kovid-19”, tha Aleksander Dashtevski, kryetar i KSHZ-së.

Të dielën zhvillohet procesi zgjedhor. Në garë për 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit janë 299 kandidatë, ndërsa mbi 10,600 kandidatë për këshilltarë komunal dhe këshillin e Qytetit të Shkupit. Më së shumti kandidatë për kryetar ka për Shkupin, respektivisht 12, ndërsa Struga dhe Dollneni kanë nga 8 kandidat. 24 janë kandidatë të pavarur. Nga kandidatët për kryetar komune vetëm 25 prej tyre janë femra.

Të drejtë vote kanë 1 824 864 qytetarë. Për herë të parë në Maqedoni të Veriut do të votohet me “fingerprint” ose aparate që detektojnë vijat papilare të votuesve.

Procesin zgjedhor do ta monitorojnë 1.247 vëzhgues. Prej tyre 870 vendas dhe 367 të huaj. Deri në hapjen e kutive të votimit vazhdon heshtja zgjedhore. Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale do të mbahet më 31 tetor.

Adrian Kerimi