Përderisa bota vazhdon të përballet me COVID-19, ekziston një virus tjetër që është një nga kërcënimet e ardhshme pandemike, paralajmëron një shkencëtar i cili është një nga krijuesit e vaksine të Oksfordit/AstraZeneca.

Virusi quhet ‘Nipah’ dhe aktualisht nuk ka trajtim apo vaksinë.

“Nëse do të kishim një lloj delta të virusit Nipah, ne do të kishim papritur një virus shumë të transmetueshëm me një përqindje vdekshmërie 50 përqind,” tha Dame Sarah Gilbert gjatë një ngjarjeje në Festivalin e Letërsisë Cheltenham në Mbretërinë e Bashkuar të enjten.

Çfarë është virusi Nipah dhe a duhet të shqetësohemi?

Virusi Nipah nuk është i ri dhe ka qarkulluar prej vitesh. Në vitin 1999, virusi mbërriti në Malajzi dhe gjeti strehë te lakuriqët e natës dhe u transmetua nëpër ferma përmes derrave që hëngrën mbetjet nga lakuriqët e natës. Virusi iu ngjit njerëzve që punuan nëpër këto ferma.

Si transmetohet?

Transmetimi mendohet të ketë ndodhur nëpërmjet ekspozimit të pambrojtur ndaj sekrecioneve nga derrat, ose kontaktit të pambrojtur me indet e një kafshe të sëmurë.

Rreth 105 persona vdiqën brenda tetë muajsh pasi pësuan koma, ethe dhe inflamacion të trurit nga virusi. Nipah vrau rreth 40 përqind të të infektuarve.

Ky virus transmetohet te njerëzit nga kafshët, nga ushqimet e kontaminuara dhe nga kontakti njeri me njeri.

Cili është kërcënimi sot?

Nipah tani shpërthen çdo vit në Bangladesh dhe gjithashtu shfaqet periodikisht në lindje të Indisë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se është konstatuar se në këto dy vende, konsumi i frutave ose produkteve të frutave të kontaminuara nga lakuriqët është burimi më i mundshëm i infeksionit.

Sipas OBSH -së, vendet si Kamboxhia, Gana, Indonezia, Madagaskari, Filipinet dhe Tajlanda që kanë lloje të caktuara të lakuriqëve të natës mund të jenë në rrezik.

Lakuriqët e llojit ‘Pteropodidae’ janë bartësit natyrorë të virusit Nipah.

Sa vdekjeprurës është virusi?

Shkalla e vdekshmërisë në rastet e raportuara vlerësohet të jetë mes 40 dhe 75 përqind, sipas OBSH -së.

Njerëzit mund të zhvillojnë infeksione asimptomatike, por simptomat mund të shkojnë nga infeksioni i lehtë deri tek ai i rëndë respirator dhe deri tek inflamacion i trurit.

Njerëzit e infektuar fillimisht zhvillojnë simptoma si ethe, dhimbje koke, dhimbje të muskujve, të vjella dhe dhimbje të fytit. Kjo mund të pasohet nga marramendje, përgjumje, humbje të vetëdijes dhe probleme neurologjike.

Aktualisht nuk ka asnjë trajtim ose vaksinë për Nipah për njerëzit ose kafshët.