Kriptovaluta më e vlefshme në botë, Bitcoin, ka shënuar rritje të vlerës për gati 4.4 për qind të shtunën, duke e arritur vlerën e pothuajse 61 mijë e 700 dollarëve për njësi. Rivalët e kësaj valute, Ethereum e Dogecoin, gjithashtu shënuan rritje, raporton “Coindesk”. Ethereum po shitej për 3.915 dollarë ose me rritje prej 3.4 për qind, ndërsa Dogecoin për gati 24 centë ose me rritje prej 4.6 për qind, shkruan Fox News.

Ndryshe, agjencia “Associated Press” raportoi se 300 kompjuterë janë duke punuar pandërprerë në një central të energjisë gjeotermale afër vullkanit “Tecapa” në El Salvador, duke zhvilluar llogaritje të ndërlikuara matematikore ditë e natë për t’i vërtetuar transaksionet për Bitcoin.

Pilot-projekti, që është ide e Presidentit Nayib Bukele, i cili në shtator e bëri valutë të ligjshme Bitcoin-in në vendin e tij, premton energji të lirë e të ripërtëritshme për prodhimin e kësaj valute.

Sidoqoftë, operacione të tilla, përfshirë ato që zhvillohen në nivel industrial, janë kritikuar ashpër në pjesë të ndryshme të botës shkaku i sasisë së madhe të energjisë që shpenzohet dhe për lirimin e karbonit.