Theri me thikë një person pas një mosmarrëveshje, arrestohet 22 vjeçari në Kaçanik

Një 22 vjeçar është arrestuar në Kaçanik pasi i njëjti dyshohet se kishte therur me thikë një person tjetër.


Stacioni policor në Kaçanik sot rreth orës 11:55 ka pranuar një informacion se afër një pompe të benzinës në fshatin Vatë të Kaçanikut është një rast therje me mjet të fortë (thikë).

Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe rreth orës 12:25 kanë arritur ta arrestojnë personin e dyshuar me inicialet F.N (22 vjeçar) i cili kishte therur me një mjet të fortë (thikë) personin tjetër me inicialet T.D (mbi 30 vjeç).

Ky i fundit ka pësuar lëndime të rënda në kraharor dhe pasi ka pranuar ndihmën mjekësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj është dërguar për tretman të mëtutjeshëm mjekësor në QKUK.

Shkak i këtij incidenti kishte ardhur pas një mosmarrëveshje që kishin këta të dy një javë më parë në fshatin e tyre Vatë.

I dyshuari pasi është arrestuar nga policia është shoqëruar në stacionin policor dhe po intervistohet për procedura të mëtejme hetimore.

Ndërkaq në vendin ku ka ndodhur ngjarja janë kyçur edhe Sektori Rajonal i Hetimeve nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj për të mbledhur dëshmi materiale dhe deklarative se si ka ardhur deri të ky incident.