Talibanët thanë se kanë arrestuar katër anëtarë të grupit ekstremist Shteti Islamik (IS), në veri të Kabulit.


Zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid, tha se ata u arrestuan gjatë një operacioni në rrethin Paghman, ku u konfiskuan edhe dokumente dhe armë.

Mujahid nuk dha detaje të tjera.

Dega lokale e Shtetit Islamik, Shteti Islamik-Provinca Khorasan (IS-K), nuk i ka komentuar këto pretendime.

Qëkur talibanët kanë marrë kontrollin e Afganistanit në muajin gusht, militantët e IS-K kanë shtuar sulmet kundër sundimtarëve të rinj të këtij vendi.

I fundit ka ndodhur më 3 tetor, kur grupi ka marrë përgjegjësinë për një shpërthim vdekjeprurës pranë hyrjes së një xhamie në Kabul, raporton REL.

Talibanët dhe militantët e IS-K janë rivalë dhe ata kanë luftuar njëri-tjetrin edhe para se talibanët të merrnin pushtetin në Afganistan.