Kryetari i Komunës së Çairit Visar Ganiu sot njoftoi se ka nënshkruar marrëveshje me Ndërmarrjen qarkulluese publike për transport të Qytetit të Shkupit (NQP), me çka ka siguruar linjë autobusi falas për nxënësit e Vizbegut që mësojnë në Çair.


Ganiu marrëveshjen e nënshkroi me drejtorin gjeneral të NQP-së, Kristijan Çushkov dhe kryetarin e Komunës së Butelit, Velimir Smilevski.

Me këtë marrëveshje është gjetur zgjidhje e përhershme për të gjithë nxënësit e lagjes së Vizbegut, që zhvillojnë mësimin në Komunën e Çairit dhe atë të Butelit.

Autobusët e NQP-së do t’i marrin nxënësit nga Vizbegu dhe do t’i dërgojnë në të gjitha shkollat ku ndjekin mësimin në këto dy komuna, dhe të njëjtit do ti kthejnë në Vizbeg pas mbarimit të mësimit.

Ky problem u paraqit pasi mësimi me prezencë fizike u ndërpre vitin e kaluar dhe me këtë u ndërpre edhe linja që transportonte nxënësit nga kjo lagje.

Ganiu informoi se ky transport i nxënësve do të vlejë deri në momentin që nxënësve të Lagjes Vizbeg do t’ju përfundon ndërtimi i shkollës fillore.