Me projekte konkrete në terren dhe me botime e
konferenca të ndryshme shkencore, institutet tona janë
shndërruar në asete kombëtare dhe si të tillë ato po e
trasojnë edhe rrugën e mendimit të mirëfillt shkencor.
Është për t’u habitur tendenca e frikës që po shfaqet nga
kjo frymë autonome e mendimit shkencor, sepse nuk
mund të shpjegohet ndryshe kjo frikë, e cila si duket
rrënjët i ka në atë thënien e moçme popullore “prish
shtëpi, e ndreq çardak”.
Nga Prof.dr. Skender ASANI
Ka një tendencë burokratike për zbehjen e rolit të
shkencave albanologjike në avancimin dhe konsolidimin e
çështjeve që lidhen me korpusin e temave e problemeve
identitare. Për rrjedhojë, jo vetëm që është tepër
shqetëuese tendenca për ngulfatjen e zërave që
artikulojnë çështje identitare, por është edhe absurde që
nga albanologjia të kërkohet të bëhet zorrë qorre e
Akademive tona të Shkencave e Arteve.
Ky shqetësim vie në shprehje sidomos në Shkup, pasi që
atje thyhen shtizat e betejave identitare, ku ITSHKSH i ka
zhvilluar me sukses ato beteja, duke u përfshi në një treg
më të gjerë idesh e projektesh. Instituti ynë ka dalë shumë
fuqishëm mbi sipërfaqen e amullisë ekzituese dhe kjo me
siguri nuk iu konvenon atyre që duan status quo. Ata nuk
duan që idetë shkencore t’iu prijnë proceseve shoqërore,
prandaj të vetmin instrument që tani për tani përdorin
është të disiplojnë institutet, madje edhe t’i lënë pa buxhet,
siç ka ndodhur me Institutin tonë, dhe pastaj t’i fusin ato
nën tutelën e Akademive të Shkencave dhe Arteve. Këto
të fundit, që është një realitet i ngjashëm edhe në Tiranë
dhe në Prishtinë, ka kohë që nuk po e kryejnë misionin e
tyre bazik dhe për të kompenzuar këtë pasivitet, tani kanë

shpikur integrimin, gjegjësisht, shkrirjen e instituteve nën
ombrellën e akademive.
Instutet shkencore tash më kanë krijuar fizionominë dhe
autoniminë e tyre të veprimit. Me projekte konkrete në
terren dhe me botime e konferenca të ndryshme
shkencore, institutet tona janë shndërruar në asete
kombëtare dhe si të tillë ato po e trasojnë edhe rrugën e
mendimit të mirëfillt shkencor. Është për t’u habitur
tendenca e frikës që po shfaqet nga kjo frymë autonome e
mendimit shkencor, sepse nuk mund të shpjegohet
ndryshe kjo frikë, e cila si duket rrënjët i ka në atë thënien
e moçme popullore “prish shtëpi, e ndreq çardak”. Se kujt
po i konvenon që shkencat tona albanologjike t’i lënë pa
shtëpitë e tyre, kjo mbetet të analizohet, por ajo që mund
të shihet e që nuk kërkon ndonjë sqarim shtesë është fakti
se te ne po nxjerin krye tendencat burokratike për
centralizimin e mbikqyrjes dhe kontrollit mbi mendimin
shkencor albanologjik, duke i përdorur akademitë e
shkencave si gardianë me çelësa në duar të cilët do të
vendosin pastaj se kush mundet dhe kush jo ta gezojë
lirinë e shprehjes së mendimit të pavarur shkencor. Me
fjalë të tjera, i bie që Akademitë e Shkencave, pasi që nuk
po punojnë asgjë, tani do t’i angazhojnë që të ndajnë
licenca për gjithë ata që duaj të merren me shkencë, por
nën tutetën e tyre.
Ne në Maqedoninë e Veriut këto tendenca i përjetojmë
dyfish rëndë: edhe si shkencëtarë, edhe si pjesëtarë të një
etnie që po lufton për të avancuar statusin e vet identitar.
Dhe në vend se nga Prishtina, dhe sidomos nga Tiranë, të
na vinin përkahjet dhe solidarizimet, edhe atje po ndodhë,
fatkeqësisht e njejta tendencë, por me një natyrë tjetër të
destruktivitetit burokratik.
Prandaj kemi bërë shumë mirë që jemi mbledhur sot në
Shkodër dhe sidomos është për t’u përshëndetur nisma e
rektorit të Akademisë së Studimeve Albanlogjike, z.Luan
Përzhita, i cili, bashkë me neve, po tregon gatishmëri për
përgatitjen e një strategjie të përbashkët që do t’iu
kundërvihej tendencave retrograde burokratike që si synim
kanë ngulfatjen e institucioneve tona albanologjike.

ITSHKSH në Shkup do të jetë pjesë e këtyre përpjekjeve
për të ruajtur dhe konsoliduar autonominë e institutive
tona dhe për rrjedhojë ne do të mbështesim çdo nismë
dhe çdo aktivitet që parandalon ngulfatjen e punës sonë.
Këtë do ta bëjmë në emër të albanologjisë dhe në emër të
brezave të tërë sduiuesish që nuk kursyen asgjë nga vetja
e tyre për të afirmuar sa më larg aritjet tona shkencore
albanologjike.
Qendrat tona albanologjike duhet të vazhdojnë të punojnë
me një hov edhe më të madh, duke e thelluar
bashkëpunimin shkencor me institucionet e ngjashme të
Evropës Juglindore, si dhe duke avancuar këmbimin e
përvojave dhe përgatitjen e botimeve të përbashkëta.
Si pikësynim i yni strategjik duhet të jetë gjithsesi edhe
përgatitja e kuadrove të reja, që nënkupton edhe
qëndrimet studimore në shtetet e Evropës ose në
Amerikë, si dhe mundësi të shumta për hulumtime sa më
të mirëfillta.
Qendrat tona albanologjiek duhet të bëjnë Projekte të
përbashkëta me interes kombëtar, kurse një prej
prioriteteve tona duhet të jetë përkthimi i veprave të
albanologëve të huaj si Thunmann, Xylander, Bopp, G.
Mayer, Lambertz, Jokl etj.,
Botimi i ndonjë vepre të rëndësishme të autorëve shqiptar
në ndonjërën nga gjuhët e mëdha, duhet të jetë gjithashtu
pjesë e strategjisë sonë, kurse botimi i një reviste të
përbashkët në gjuhë të huaja, për autorët shqiptarë dhe të
huaj, duhet të jetë një nga obligimet tona të ngutshme në
të ardhmen.
Shkencat e albanologjisë kanë nevojë për më tepër
qarkullim idesh e mendimesh, prandaj mbajtja e
konferencave shkencore të përbashkëta dhe i
prezantimeve të përbashkëta shkencore, do t’iu ndihmonte
së tepërmi studiuesve tanë që të kultivojnë edhe më
fuqishëm sensin e avancimit të dijeve albanologjike në një
horizont me të gjerë konkurrues.

Shkodër, 26 tetor, 2021

(Kumtesë e lexuar në konsultën e mbajtur në Shkodër
“Drejt një strategjie të albanoligjisë”, e mbajtur në
Shkodër)