Roma u mposht me rezultatin e thellë 6-1 në transfertën norvegjeze ndaj Bodo Glimt, ndërsa kjo disfatë ishte historike edhe për Jose Mourinhon, që në 1008 ndeshje si trajner, për herë të parë pa që një skuadër e tij të pësojë 6 gola në një ndeshje.

Në përfundim të takimit, trajneri portugez u pyet se si do të shpjegonte këtë humbje për familjen Friedkin, që ka edhe pronësinë e Romës dhe vuri në dukje sërish se verdhekuqtë kanë grup me limite.

“Do t’ju thosha gjëra që u kam thënë tashmë në biseda private, edhe para kësaj humbjeje. Nuk më bën kjo humbje që të them gjërat që kam përbrenda, të cilat i kam vënë në dukje gjithmonë dhe do të vijoj ta bëj në mënyrën më private të mundshme. Megjithatë pas kësaj ndeshjeje, nuk do të më pyesni më pse luajnë gjithmonë të njëjtët”, deklaroi trajneri portugez.