Radhë të gjata të qytetarëve para poliklinikave të Shkupit për të marrë dozën e tretë të vaksinës. Interesim i lartë për imunizim tek personat me sëmundje kronike dhe ata të shtyrë në moshë. Disa edhe kthehen duke parë që iu duhet të presin shumë. Megjithëse pjesëtarët e ARM-së përpiqeshin të mbanin rendin, distanca mes pacientëve nuk respektohej. Ka prej tyre që kërkojnë më shumë pika vaksinimi.

“Mbyllja e pikës më të madhe të vaksinimit ‘Boris Trajkovski’ në Shkup ka bërë që fluksi i shtuar i qytetarëve të dyndet nëpër poliklinikat tjera të kryeqytetit, siç po e shihni këtu pritet nga 2 orë për të marrë dozën e parë dhe të tretë.”

“Tani po marr dozën e tretë por mendoj se ka pak punkte në Shkup, përveç Çairit, Bukureshtit dhe Jane Sandanskit, të kishte bile edhe tjerë që të mos ketë radhë. Kështu pritet nga orët e mëngjesit dhe nuk mund të mbarosh punë pa pritur 3-4 orë.”

“Unë erdha ta marr dozën e tretë me gjithë shoqen më kanë njoftuar në telefon, se më kanë kaluar 6 muaj nga doza dytë. Por ja që paska shumë radhë dhe do mbushi formularin e të vijnë nesër mëngjes”

Sipas renditjes, në këtë turmë shumica ishin për dozën e tretë dhe të paktë ishin ata që nënshkruanin pëlqimin për të marrë dozën e parë. Sipas autoriteteve doza e parë mbetet në nivel të ulët të interesimit që do të rriste kuotën e imunitetit kolektiv.

“Po e marrim edhe ne pasi e marrin të gjithë. Arsye s’ka vetëm prej kallaballëkut po tash sërish qenka bërë shumë turmë.”

“Për shkak të shëndetit tim personal dhe të familjes sime si dhe sigurisht për të gjithë rrethit tim.”

“Dy orë prita, por e kemi patjetër të presim edhe pse nuk është në rregull.”

“Nuk e di, këtu pritëm 2 orë ndërsa nga dera tjetër hynë të tjerë pa pritur fare. Nuk ka rend as rregull.”

Ekspertët kritikojnë Qeverinë për mungesën e fushatave për ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për tu vaksinuarve duke thënë se nuk po angazhohet sa duhet për arritjen e imunitetit kolektiv anti kovid. Ajo që ka ndikuar për të ngritur sensibilizimin janë mediat, thonë ata ngaqë tjerët ishin të zënë me fushatë.

“Nuk jam i fushës për këtë çështje prej nga ta di, por u informova prej televizioneve kjo është e tëra.”

“Mendoj se është mirë ta marr, kishte apel për të marrë të tretën sepse unë kam marr atë kinezen.”

“Dëgjuam në mediume që na rekomandojnë OBSH, pas 5 muajsh tani po e marr dozën e tretë.”

Mjekët thonë se po bëjnë mijëra injektime të dozës së tretë brenda orareve nga 8 mëngjesit deri në 6 në mbrëmje, por sipas tyre kjo nuk është e mjaftueshme andaj për të riorganizuar punën kërkojnë rihapje të punkteve.

“Për shkak të rritjes së interesimin për dozën e tretë për shkak se tani ka ndryshim të protokolleve. Doza e tretë merret tre muaj pas të dytës që kanë marrë vaksinën kineze Sinovac. Kjo tregon se shumica e popullsisë është vaksinuar me Sinovac dhe Sinofarm dhe tani koha ka arritur për të marrë dozën e tretë. Megjithatë, këta që presin pas meje janë si për dozën e parë ashtu edhe për rivaksinim me Pfizer.”

Në tre ditët e fundit me dozën e tretë janë rivaksinuar mbi 7 mijë qytetarë. Kjo ka lënë nën hije vullnetin për të marrë dozën I , që është nën 1mijë në ditë. Sipas raportit të fundit, deri të hënën 35% e popullsisë ka arritur të imunizohet plotësisht. Deri më tani 802 mijë qytetarë janë vaksinuar, prej tyre mbi 796 mijë me dozën e dytë dhe mbi 10 mijë me dozën III.