Qytetari shqiptar duhet t’i jep votën Fatmir Deharit që të mos shkëputet zinxhiri i fitoreve

(titulli origjinal i autorit: Apoteoza e votës plebishitare për Kërçovën)
Nga Ramazan Bekteshi


Derisa në Kërçovë në raundin e parë të zgjedhjeve dy kërçovarë dhe një maqedonas garuan për kryetar komune, shumë qytetarë shqiptar ishin të shqetësuar sepse vota shqiptare shpërndahej dhe mund të shkaktonte problem serioz. Për fatin tonë dhe të dy kandidatëve shqiptarë ajo nuk shkaktoi ndonjë telash, përkundrazi zgjedhjet lokale u sfiduan edhe nga një kandidat i pavarur. Fatmir Dehari si fitues nga pala shqiptare më 31 tetor do të ndeshet me kandidatin e VMRO-DPMNE.

Nga ana tjetër, kandidati i pavarur Fatmir Limani, është fituesi moral, dhe është e sinqertë të kualifikohet si e tillë, sepse ai u ballafaqua me partinë e tij, që në Kërçovë është edhe bastioni BDI-së, u ballafaqua me degët e saj të konsoliduara, u ballafaqua me militantët e partisë që shpesh dhe nuk zgjedhin mjetin për të fituar, u ballafaqua me liderin shqiptar më të fortë në RMV, u ballafaqua edhe me votën e LSDM-së, dhe pa fonde të nevojshme për një fushate të barabartë. Limani, me rebelizmin e tij prej një kandidati të pavarur, dhe me votat e konsiderueshme që mori në kushte jo të barabarta me kundërshtar jo të barabartë, meriton lëvdata, sepse ai tregoi kurajë qytetare që ti dal para një partie shqiptare që s’di për humbje posaçërisht në Kërçovë. Fatmir Limani u dha një leksion partive opozitare me kandidimin e tij si i pavarur, edhe pse partitë opozitare të konsoliduara me degë e nëndegë sërish u frikësuan ta sfidojnë BDI-në duke abstenuar. Një akt si ky i Limanit veçse e pasuron demokracinë dhe e theu mitin.

Të dielën në Kërçovë, është si ajo çështja hamletiane “të jesh apo mos të jesh” të votosh kandidatin shqiptar qoftë edhe i një partie që s’të flenë në zemër sepse kjo është keqja më e vogël. Nuk ka asnjë arsyetim që ti jepet shanse partisë shoviniste të Gruevskit që BDI mezi është shkurorëzuar, dhe atë jo me dëshirën e saj por nga rrethanat që u krijuan. Qytetari shqiptar duhet t’i jep votën Fatmir Deharit që mos të shkëputet zinxhiri i fitoreve, Kërçova është e shqiptarëve me shumicë dhe ata duhet ta udhëheqin. Përgëzime diasporës për qëndrimin e saj dinjitoz dhe neutral që pati në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, derisa tani sërish diasporës i mbet barra për aktin final, të fitores plebishitare, sepse Uskana e meriton këtë.

Duhet votuar për Kërçovën sepse kështu e lyp interesi kombëtar, votuesi mund edhe ta fali BDI-në për një çast të dielën, por kurrë s’do ti harroj lëshimet gjatë sundimit të saj dy dekadash: Votuesi kurrë s’do ta harroj tragjedinë e Sopotit, Brodecit, Monstrën, Tanushën, Malinën, Brezën, Kumanovën (Lagja e Trimave), vrasjet misterioze të luftëtarëve e shumë ngjarje trishtuese të tjera. Jo, sepse BDI s’e ngriti zërin kur MPB Jankullovska i quante shqiptarët fisnor e Indian, nuk protestoi as kur huliganët maqedonas pareshtur nëpër rrugë dhe arena sportive vazhdojnë edhe sot e kësaj dite të thërrasin slogane antishqiptare si: ‘Shqiptari i mire, shqiptari i vdekur’, ‘Maqedonia pa shqiptarë’ , ‘dhoma gazi për shqiptarët’ etj.
Qytetari shqiptar do të votoj për Kërçovën, por duke pasur gjithnjë në mend mosveprimin e BDI-së kur në Kumanovë u vranë pas shpine ata që ishin dorëzuar, u vranë 18 vetë, derisa 37 shqiptarë u dënuan me 765 vite burg, dhe 6 prej tyre me burgim të përjetshëm, e gjithë kjo e orkestruar nga regjimi i Grueskit që BDI bashkë qeveriste në sinkron. Indiferenca e BDI-së nuk do të harrohet sepse i mundësoi Gruevskin të përgatisë skenarë tmerrësisht tragjik për shqiptarët.

Tani komuna s’duhet të shndërrohet në një betejë për pushtet dhe pa kauze kombëtare, shtrirja e dorës mes dy Fatmirave është e vetmja zgjedhje sepse votuesi s’ka nevojë për inatet e Fatmirave. Kërçova ka nevojë për menaxhim të mirëfilltë, të ndershëm, për shumë punë dhe parandalim të ikjeve masive të shtresës më vitale, nëse kjo nuk ndodh gjatë këtyre katër viteve, në zgjedhjet e ardhme s’do të ketë kush ti votoj. Le të lihet pas epoka e egoizmit, konflikti i ndërsjellë përfundon vetëm me mirëkuptim të ndërsjellë. Sërish, diaspora është aty në ditë të vështira. E gëzofsh fitoren Kërçovë!