Qytetarët “pro” ashpërsimit të masave anti-Covid

Nga 15 nëntori qytetarët do të duhet patjetër të kenë të pranuara dy doza të vaksinës kundër Kovid19 për të hyrë në Qendra tregtare, kafene, restorante si dhe objekte në hapësira të mbyllura dhe të hapura. Ndërkohë vërtetimi për një dozë të pranuar do të vlejë deri më 14 nëntor.

Nga 15 nëntori 2021, për të hyrë në objektet e mbyllura e nevojshme është certifikata e cila dëshmon pranimin e dy dozave kundër Kovid ose certifikatë se e ka kaluar virusin Kovid 19, e cila vlen 45 ditë nga dita që kur pacienti llogaritet i shëruar”, thonë nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Të anketuarit e ALSAT thonë se kjo masë do të ndikojë në uljen edhe më të ndjeshme të numrit të rasteve të reja pozitive si dhe në stimulimin për vaksinim.

“Mendoj se vendimi është në rregull, marrë parasysh se sa shumë njerëz vdiqën si pasojë e Kovid19 dhe ende kemi shumë raste positive”

“Është totalisht e drejtë ky vendim. Sepse dy dozat mund të ndikojnë në kohë kundër virusit. Gjithçka që ndërmerret si masë kundër virusit, është e mirëseardhur.”

“Kështu është më e sigurtë sepse edhe nëse infektohemi do e kalojmë më lehtë. E shohim gjithkund në botë se si po shpërndahet virusi përsëri. Ky vendim është Ok, dhe tani duhet dhe dozën e tretë ta marrim”

“Me të drejtë është ky vendim”

“Një dozë nuk është e mjaftueshme, ndërsa dy po”

Masat ishin në fuqi nga 16 korriku, kur Qeveria kishte shtrënguar masat pas përkeqësimit të situatës me koronavirusin.