Deri në fund të vitit pritet të ketë propozim për ligjin e ri për ndërtimtari, parlajmëron ministri i transportit dhe lidhjeve Bllagoj Boçvarski. Ai tha se projektligji për ndërtimtari do të mundësojë dhe stimulojë zhvillimin hapësinor dhe ekonomik, do të stimulojë investimet në ndërtimtari si dhe do të mundësojë zgjidhjen e një numri të madh problemesh të akumuluara që ndodhin vazhdimisht në këtë fushë.

“Marrë parasysh se ligji ekzistues është ndryshuar mbi 30 herë dhe shpesh është një frenë në zhvillimin e komunave dhe shtetit, ne vendosëm të krijojmë një ligj krejtësisht të ri për ndërtim, që do të synojë të përshpejtojë procedurat dhe të stimulojë zhvillimin hapësinor dhe ekonomik të vendit. Pa këtë ligj nuk ka zhvillim dhe progres, nuk ka asnjë lëvizje përpara të shtetit.”. tha Bllagoj Boçvarski, ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

Nga Oda e Arkitektëve dhe inxhinerëve të autorizuar reagojnë në propozim ndryshimet me të cilat mbeten vetëm katër autorizime.

“Nuk duhet të kenë autorizime edhe profesionet tjera. Pra kjo shkakton një lloj niveli të subjektivitetit. Pra nuk është patjetër të kenë autorizime. Pjesa ku thotë se përvoja e punës profeionale është e detyrueshme gjithashtu shkakton dozë të subjektivitetit.”, tha Kristina Radevski nga Oda e Arkitektëve dhe Inxhinerëve të Autorizuar.

Profesorit Grçev i cili është përpilues i propozim ligjit, thotë se ligji aktual ka një sërë mangësish. Nuk ka as kategorizim të objekteve dhe shpeshherë investitorët përballen me probleme administrative.

“Ndërtimi së bashku me sistemin i cili duhet ta shënojë në kadastër është krejtësisht i partikularizuar dhe i rrënuar, për shkak se ligji për ndërtim nuk i mbulon ndërtimet jashtë tokave ndërtimore.”, tha Mirosllav Grçev, profesor universitar.

Me ligjin e ri procedurat për nxjerrjen e akteve të ndërtimit do të shkurtohen duke futur një procedurë të unifikuar për të gjitha llojet e akteve të ndërtimit, thanë të pranishmit në debat.