Deri në ora 15:00 në Komisionin për ndjekjen e parregullsive eventuale gjatë zgjedhjeve kanë arritur informacione për aktivitetet që janë ndërmarrë nga prokuroritë publike për lëndë të caktuara si dhe njoftime për parregullsitë e mundshme që kanë ndodhur, njoftojnë nga Prokuroria.

Prokurorët kujdestarë me vëmendje janë duke e ndjekur procesin zgjedhor dhe me prioritet veprojnë në drejtim të verifikimit të fakteve në lëndë.

Në adresën elektronike [email protected] ka arritur parashtresë nga partia politike në lidhje me dyshimin për kryerjen e trysnisë dhe agjitim nga ana e një personi në vendvotimin në Gostivar.

Siç qëndron në kumtesën e Prokurorisë, është formuar lëndë me të dëgjuar dhe menjëherë është dhënë udhëzim për verifikim të dyshimeve nga denoncimi, transmeton TV21.

Më tej thuhet se pas udhëzimit të marrë nga Prokuroria Publike në Kumanovë, në lidhje me parashtresën për gjoja blerje të votës në fshatin e Kumanovës Çerkez, Rramanli dhe Vojniviq, për të cilën rast Prokuroria formoi lëndë, ka kryer bisedë me më shumë njerëz dhe nuk ka informacione të cilat do ta vërtetonin dyshimet në parashtresë. Vazhdohet me ndërmarrjen e aktiviteteve me udhëzim të prokurorit publik.

Prokuroria Publike në Shkup është njoftuar për një rast nga kryetari i Komisionit Zgjedhor në lidhje me shkatërrimin e materialit zgjedhor, gjegjësisht shqyerje të fletëvotimeve. Gjegjësisht, në ora 12:45 personi gjatë realizimit të të drejtës së votës, nga katër letra, vetëm një e ka vendosur në kutinë e votimit, ndërkaq të tjerat i ka shqyer. Personi është arrestuar dhe mbajtur në stacion policor. Pas konsultimeve të kryera me prokurorin publik dhe ekzistimit të dyshimeve për kryerjen e veprës penale “Shkatërrim të materialit zgjedhor”, janë dhënë udhëzime për veprime të mëtutjeshme.

Për denoncimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për informacionin që një person nga një parti politike e ka dorëzuar te ata, Prokuroria ka dhënë udhëzime ndaj të cilave po vepron Ministria e Punëve të Brendshme dhe Sektori i Punëve të Brendshme Shkup.

Ndërkaq Prokuroria Publike në Koçan ka njoftuar se nga Departamenti i Punëve të Brendshme në Koçan ka marrë njoftime për më shumë raste për kryerje të agjitimit para vendvotimeve, transport të udhëtarëve, si dhe dyshime për blerje të votave. Është formuar lëndë dhe janë dhënë udhëzime për identifikim të personave.