Presidenti Stevo Pendarovski sot u ndau certifikata pjesëmarrësve të Shkollës për politika në kuadër të Qendrës presidenciale për edukim politik, për vitin 2021.

Në shkollën për politika, e cila u realizua përmes katër seminareve edukative në periudhën nga marsi deri në nëntor 2021, me pjesëmarrjen e ligjëruesve eminentë dhe trajnuesve nga shteti dhe nga jashtë, kanë marrë pjesë 41 të rinj të moshës prej 25 deri 35 vjeç.

Pendarovski në ndarjen e certifikatave, porositi se qëndrimi dhe arritja e kësaj gjenerate të parë konfirmon se Shkolla është në rrugën e duhur për ta realizuar këtë qëllim.

“Të zgjedhur për pjesëmarrës në thirrjen e hapur në bazë të arritjeve dhe meritave personale dhe me respektimin e diversitetit të shoqërisë tonë, ju dëshmuat, pavarësisht dallimeve personale, sociale, politike dhe të tjera, se shoqëria tek ne ka kapacitet për zhvillimin demokratik dhe bashkimin rreth qëllimeve strategjike kryesore të shtetit”, tha Pendarovski, thuhet në kumtesën e kabinetit të tij.

Për shkak të pandemisë me Kovid-19, një pjesë e trajnimeve në kuadër të Shkollës u organizuan onlajn, ndërsa një pjesë me prani fizike ose në formatin hibrid.