Ka përfunduar dëgjimi i dëshmitarit të tretë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në rastin e Salih Mustafës. Në fund, ai iu është përgjigjur pyetjeve të trupit gjykues ku ndër të tjera ka thënë se, përveç në ditën e parë, nuk i kujtohet të ketë dëgjuar komandant Calin të jap urdhër për keqtrajtimin e tij. Megjithatë, dëshmitari i mbrojtur ka thënë se në të shumtën e rasteve rrahja i është bërë në praninë e komandant Calit.


Dëshmitari W01679 i ka thënë kryetares së trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia, që komandant Cali e ka rrahur kur është dërguar në objektin e Zllashit, ndërsa në ditët e tjera, sipas tij, është rrahur nga të tjerët por shpesh në praninë e tij.

Mappie Veldt-Foglia: Në të rrahurat e tjera ku the që ishte i pranishëm a të ka rrahur edhe ai?

Dëshmitari: Jo në rrahjet e tjera nuk më ka rrahur ai, ka mund të jetë aty por nuk më ka rrahur, ai ka shikuar, ka bërë shaka, ai në fillim më ka rrahur veç, tjera herë nuk më ka rrahur por më kanë rrahur shokët e tij.

Gjatë seancës, kryetarja e trupit gjykues i ka prezantuar dëshmitarit edhe disa fotografi, të cilat nuk ishin publike, dhe e ka pyetur nëse i njeh personat në ato fotografi.

Sipas dëshmitarit, njëri nga personat në fotografi ngjan me komandant Calin.

Gjatë dhënies së dëshmisë, ndër të tjera dëshmitari ka thënë se në objektin, që ai thotë të ketë qenë ahur ku pretendon se është mbajtur, janë sjellë edhe persona të tjerë për disa ditë por që disa i kanë larguar pastaj.

“Kemi qenë gjashtë, më së shumti shtatë por ai i shtati nuk ka qëndruar shumë, ne gjashtë vetë kemi qëndruar më së shumti”, ka thënë dëshmitari i mbrojtur.

Tutje, kryetarja e trupit gjykues e ka pyetur dëshmitarin nëse komandant Cali ka dhënë urdhra për keqtrajtimin e tij.

Mappie Veldt-Foglia: Më herët të bëra një pyetje lidhur me komandant Calin që ka qenë i pranishëm gjatë disa prej rrahjeve, pas rrahjes së parë, dhe pyetja që kam për ty, pyetja vijuese është kjo: a ka dhënë ai urdhra për mënyrën si të kanë keqtrajtuar?

Dëshmitari: Më kanë rreh edhe në prezencë të tij, normal se për ata njerëz ka komanduar ky njeri.

Mappie Veldt-Foglia: A e dëgjove veti ti atë të jepte urdhra?

Dëshmitari: Nuk më kujtohet në këto çaste se ka dhënë ndonjë urdhër drejtpërdrejti, përveç herës së parë.

Mappie Veldt-Foglia: Apo mban mend që t’i ketë nxitur, inkurajuar në një farë mënyre?

Dëshmitari: Nuk mbaj mend se nuk ke guxuar edhe me nxit diçka, me bë diçka.

Me këtë ka përfunduar dëgjimi i dëshmitarit të tretë të ZPS-së, ndërsa më 12 tetor do të fillojë dëshminë dëshmitari i katërt.

Dëshmitari i parë i mbrojtur ka dëshmuar nga data 20 deri më 23 shtator, ndërsa dëshmitari i dytë ka dëshmuar nga 23 deri më 27 shtator, ndërsa dëshmitari i tretë është dëgjuar për dy ditë më radhë. Të gjithë nën masa mbrojtëse të sigurisë.

I akuzuari, Salih Mustafa ka marrë pjesë në seancë përmes video-lidhjes.

Ky është gjykimi i parë që ka filluar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.