Ka pak më tepër se një vit që luan futboll profesionist me Barcelonën, por kaq i ka mjaftuar mesfushorit 19-vjeçar Pedri që të bëhet pjesë e listës me 30 kandidatët për të fituar Topin e Artë, të shndërrohet në titullar sit e katalanët ashtu te Spanja dhe mbi të gjithë të bëhet futbollisti me klauzolën më të lartë.

Plot një miliardë euro do të duhet të paguajë çdo klub që çon ndërmend të marr shërbimet e Pedrit, i cili ditën e djeshme firmosi një kontratë që e lidh me Barcelonën deri në verën e 2026-ës, ndërsa sot doli në një konferencë shtypi ku foli edhe për klauzolën stratosferike.

“Nuk mendoj aspak për klauzolën një miliardëshe, pasi ajo është thjesht një shenjë vlerësimi nga ana e klubit. Jam shumë i lumtur që kam arritur kaq shumë dhe falënderoj familjen time, që më ndihmon të qëndroj me këmbë në tokë. Momentet më të bukura te Barcelona janë debutimi me Villarealin, goli i parë dhe triumfi në Kupën e Mbretit. Për momentin jemi në vështirësi, por ju garantoj që do të rikthehemi të dominojmë dhe të ngremë të tjerë tituj”, u shpreh mesfushori i talentuar.