Ndërprerja në qasjen në rrjetin social Facebook dhe platformat e saj WhatsApp dhe Instagram, që zgjati për rreth gjashtë orë, u shkaktua nga një konfigurim i gabuar dhe nuk ka prova që të dhënat e përdoruesve janë vjedhur, tha një zyrtar i kompanisë, transmeton Anadolu Agency (AA).


Santosh Janardhan, drejtori i infrastrukturës në Facebook, tha në një deklaratë në faqen e internetit të kompanisë se është përcaktuar që ndërprerja është shkaktuar nga një konfigurim i gabuar.

Ai deklaroi se problemi gjithashtu i bëri të papërdorshme sistemet e përdorura në operacionet e kompanisë, duke e bërë zgjidhjen të vështirë.

“U kërkojmë falje njerëzve dhe kompanive që na besojnë në gjithë botën për ndërprerjen në platformat tona sot”, shtoi Janardhan.

Kompania deklaroi se nuk ka prova që të dhënat e përdoruesve janë vjedhur gjatë këtij procesi dhe përgënjeshtroi lajmet në këtë drejtim.

Ndryshe, Facebook, WhatsApp dhe Instagram pësuan problem në qasje në gjithë botën për rreth gjashtë orë pas orës 17:40.