Ashtu siç është paralajmëruar të hënën nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, të martën Këshilli Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive ka diskutuar lidhur me aktivitetet e federatave sportive të Serbisë në territorin e Kosovës.

Aktivitetet e federatave të sportit të Serbisë në Kosovë janë të shumta dhe në baza të rregullta, përmes klubeve që funksionojnë në Kosovë e që përbëhen e drejtohen nga serbët.

Ka pasur disa përpjekje për integrimin e këtyre klubeve në sistemin sportiv të Kosovës, por pa sukses. Përpjekje tjetër do të bëhet sërish. Kështu të paktën ka rekomanduar Këshilli në fjalë.

Ky organ nuk ka marrë ndonjë vendim të prerë për të parandaluar aktivitetet e federatave serbe në territorin e Kosovës. Por ka lëshuar një paralajmërim.

“Këshilli paralajmëron të gjitha klubet që nuk janë pjesë e Federatave Nacionale të Kosovës se për organizimin e aktiviteteve ilegale sportive do të jenë të detyruar që të zbatojnë ligjet e Kosovës, ku parashihen edhe sanksionet ndaj personave apo subjekteve që nuk i zbatojnë ligjet e Republikës së Kosovës”, thuhet në një komunikatë të Këshillit për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive.

Ky Këshill ka mbajtur mbledhje në MKRS, ndërsa të pranishëm ishin edhe përfaqësues të disa federatave sportive të vendit.

“Në agjendën e mbledhjes së sotme, me prioritet është trajtuar tema e aktiviteteve sportive ilegale të organizuara nga strukturat paralele serbe në Kosovë. Bazuar në Ligjin e për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Sport, aktivitetet zyrtare sportive në territorin e Kosovës mund të organizohen nga federatat sportive, shoqatat e sportistëve dhe klubet sportive të formuar në përputhje me legjislacionin e Kosovës. Po ashtu, Ligji specifikon se të drejtën e organizimit të ngjarjeve sportive e kanë edhe personat tjerë fizikë dhe juridik që paraprakisht kanë bërë marrëveshje me federatat apo klubet sportive të licencuara në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

Përfaqësuesit e federatave sportive kanë hequr barrën nga vetja duke thënë se “ndër vite u kanë bërë thirrje klubeve sportive të cilat zhvillojnë aktivitetin e tyre në kuadër të federatave sportive në Serbi, që të integrohen në strukturat tona organizative dhe të bëhen pjesë e aktivitetit legjitim sportiv në Kosovë”.

Por Këshilli ka pranuar se asnjë klub i komunitetit serb aktualisht nuk është i anëtarësuar në Federatat e Sportit të Kosovës.

Ka pasur disa klube të serbëve më parë në sistemin sportiv të Kosovës. Më i famshmi ishte klubi i basketbollit Bambi, që mblidhte çdo fundjavë lojtarë nga Serbia dhe luante ndeshje në Kosovë. Më shumë ishte vlerësuar një projekt për të thithur fonde, por që e kishte edhe ndikimin e vet politik.

Të pranishmit në takimin e së martës janë pajtuar që integrimi i klubeve serbe duhet të trajtohet me prioritet.

Këshilli ka dalë me dy rekomandime nga takimi.

“Këshilli i rekomandon ministrit që procesi për integrimin e klubeve sportive që nuk janë pjesë e Federatave Sportive të Kosovës, të bëhet në bashkëpunim me Drejtoritë Komunale të Sportit në të gjitha komunat e Kosovës”, është rekomandimi i parë.

“Këshilli i rekomandon ministrit që përpjekjet për integrimin e klubeve sportive në aktivitetet zyrtare të sportit kosovar, të vazhdohen të bëhen edhe nga Federata Sportive të Kosovës që janë të licencuara në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës”.